Serbi nderohet me çmim për luftën përkrah forcave proruse në Ukrainë

Lëvizja Novorossiya, një organizatë e drejtuar nga veterani famëkeq i ushtrisë ruse, Igor Strelkov, i ka dhënë shtetasit serb, Stevan Millosheviq, çmimin ‘Mbrojtësi i Novorossiya’ për luftën e tij përkrah separatistëve pro-rusë në konfliktin në Ukrainën lindore.

Millosheviq, i cili është në mesin e 29 serbëve të dënuar nga gjykatat serbe që nga viti 2015 për pjesëmarrje në luftimet me njësitë pro-ruse në Ukrainë, tha se e mirëpret çmimin, të cilin e mori të dielën.

“Është domethënëse për mua sepse përkujton simbolet e luftëtarëve sllavë të vjetër, popullit tonë që ishin bashkë gjatë historisë sonë. Do të thotë që e fitova atë dhe bëra diçka të mirë”, tha Millosheviq për BIRN.

Pavarësisht se mori një dënim pesëvjeçar në Serbi, Millosheviq u kthye në zonën e konfliktit në lindje të Ukrainës më 2015.

I pyetur nëse ai synon të kthehet në Serbi dhe të përballet me drejtësinë, Millosheviq tha që ai e bëri këtë dhe shtoi se “si babai i një fëmije unë do të kërkoj arrest shtëpiak, dhe do të jem i gatshëm të bashkëpunoj”.

Në vitin 2014, Serbia miratoi një ligj që i ndalonte qytetarët të luftojnë në luftëra te huaja me formacione ushtarake dhe paramilitare, përveç nëse janë pjesë e një misioni zyrtar të një organizate ndërkombëtare, në të cilën është anëtare edhe Serbia. Dënimet variojnë nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.

Dënimi me burg është pezulluar me kusht që të dënuarit të mos kryejnë përsëri të njëjtën vepër brenda një periudhe kohe të caktuar – zakonisht ndërmjet një dhe pesë vjet.

Millosheviq tha se çmimi ‘Mbrojtësi i Novorossiya’ u jepet atyre që kanë luftuar që nga viti 2014 për idenë e Novorossiya (Rusia e Re) dhe unitetin e sllavëve kudo.

Novorossiya ishte emri i një konfederate të propozuar të dy zonave të kontrolluara nga separatistët e Ukrainës lindore, Republika Popullore e vetëshpallur Donetsk dhe Republika Popullore e Luhansk.

Luftëtarët serbë midis grupeve separatiste pro-ruse në Ukrainë janë një nga arsyet për marrëdhëniet e tendosura aktualisht midis Beogradit dhe Kievit. Ukraina vlerëson se rreth 300 serbë janë ose kanë qenë duke luftuar në territorin e saj.

Ambasadori i Ukrainës në Beograd, Oleksandr Aleksandrovych, i tha BIRN-it në nëntor 2017 se autoritetet serbe po injoronin çështjen, për të cilën ai besonte se ishte e ndërlikuar nga lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë.

Në dhjetor, Serbia ishte përsëri vendi i vetëm ballkanik që mbështeti Moskën dhe votoi kundër rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të KB që kërkonte që Rusia të tërhiqte forcat e saj ushtarake nga Krimea e aneksuar. Bosnja dhe Hercegovina abstenoi.