Ilustrim: REL (Arkiv)

Serbi, arrestohet serbi që "glorifikonte" ISIS-in

Shtetasi serb Igor Despotoviq është arrestuar nën dyshimin për “lavdërim të terrorizmit”, pasi ai “në mënyrë të vazhdueshme dhe publikisht ka prezantuar dhe transmetonte ide drejtpërdrejt përmes videove, fotografive dhe teksteve që inkurajonin kryerjen e terrorizmit”, konfirmoi Gjykata e Lartë e Beogradit për BIRN.

Despotoviq është arrestuar të enjten dhe të premten iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh.

Gjykata e Beogradit tha se kishte dyshime të arsyeshme “se ai ka administruar ose hapur disa llogari në disa rrjete sociale, dhe në pjesën e llogarisë në dispozicion të të gjithë përdoruesve ka vendosur një sërë përmbajtjesh – tekste, regjistrime dhe fotografi, duke lavdëruar një organizatë të shpallur terroriste nga Kombet e Bashkuara – Shteti Islamik dhe duke promovuar veprimet e asaj organizate, me thirrje për ndihmë materiale dhe bashkim në radhët e saj, luftë të armatosur, dhunë dhe vetëvrasje, dhe duke treguar pamjet e saj”.

Deri më tani, i vetmi rast i terrorizmit i lidhur me ISIS-in në Serbi përfundoi në janar 2019, kur Gjykata e Apelit e Beogradit konfirmoi vendimet e fajësisë për shtatë persona për terrorizëm.

Abid Podbicanin, Sead Plojoviq dhe Tefik Mujoviq u dënuan me 11 vjet, Goran Pavloviq me dhjetë, Iznudin Crnovrcanin dhe Rejhan Plojoviq me nga nëntë vjet e gjysmë, ndërsa Ferat Kasumoviq u dënua me shtatë vjet e gjysmë.

Podbicanin, Pavloviq dhe Ploviq u gjykuan në mungesë.

Dhjetëra njerëz u dënuan me kusht gjatë vitit për luftime në Ukrainë.