Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Serbi, 30 ditë paraburgim për kosovarin Nezir Mehmetaj

Një gjykatë serbe ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Nezir Mehmetajn, i cili u arrestua ditë më parë nga autoritetet e Serbisë.

Lajmin për këtë masë ndaj shtetasit të Kosovës, e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli/

Ai e ka dënuar vendimin e Gjykatës së Beogradit dhe ka thënë se kjo marrëzi duhet të marrë fund.

Pacolli ka bërë të ditur se është në kontakt të ngushtë me Brukselin dhe se ka alarmuar institucionet e Bashkimit Europian për arrestimin e Nezir Mehmetajt si dhe praktikën e vazhdueshme nga Serbia të ndalimit të shtetasve kosovarë.

“Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe duhet të ndalojë me përndjekjet dhe arrestime politike të shtetasve kosovar”, ka shtuar Pacolli.

Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e Nezir Mehmetajt dhe kthimin e tij në familje.