Serbët në veri vendosin banerin me mbishkrimin: Mirë se vini në Bashkësinë e Komunave Serbe

Serbët në veri të vendit po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët që të dërgojnë në pikat kufitare, përfshirë edhe atë në Jarinje.

Në këtë pikë kufitare, serbët në shenje revolte së fundmi kanë ngritur edhe tenda.

Ndërsa, kanë vendosur edhe banerë me mbishkrimin “Mirë se vini në Bashkësinë e Komunave Serbe”.

KALLXO.com që nga mëngjesi është duke e përcjellë situatën në këtë zonë dhe që nga ajo kohë serbët e kësaj ane kanë bllokuar këto rrugë, si shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë për targat për automjetet që hyjnë nga Serbia.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.