Serbët e Kosovës mund të votojnë për zgjedhjet e Serbisë, por Kosova nuk i ka shpallë ende të sajat

Serbët e Kosovës mund të votojnë me datën 21 qershor për zgjedhjet e përgjithshme në Serbi, derisa institucionet e Kosovës ende nuk i kanë shpallur zgjedhjet për 2 komuna që kanë mbetur pa kryetar.

Komuna e Podujevës dhe ajo e Mitrovicës së Veriut kanë mbetur pa kryetar, për shkak që Agim Veliu dhe Goran Rakiq kanë vendosur që të ndërrojnë pushtet, duke kaluar nga ai komunal në ekzekutivin qendror.

Zgjedhjet në Podujevë, ndonëse ishin shpallur nga presidenti, më vonë ishin anuluar për shkak të situatës me pandeminë COVID-19 dhe ende nuk është ndërmarrë asnjë hap për to.

Derisa nuk është vendosur ende asgjë për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut.

Mirëpo, zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Serbisë që priten të mbahen me 21 qershor, mund të organizohen edhe në Kosovë.

Ndonëse kanë mbetur më pak se 2 javë, qeveria e re ende nuk e di nëse do të lejoj të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë në kohë pandemie.

Arsyet e mos organizimit të zgjedhjeve për dy komunat në Kosovë sipas presidencës nuk janë duke u shpallur për shkak të situatës me pandeminë.

Kryeministri Hoti, në intervistën dhënë për Klan Kosova të mërkurën deklaroi se janë duke punuar me këtë situatë, derisa tha se nuk ka përgjigje nëse do të votojnë serbët e Kosovës për zgjedhjet e 21 qershorit.

“Jemi duke u marrë me këtë situatë. Jemi duke i parë praktikat e qeverive të kaluara se si kanë vepruar në këtë rast. Unë kam pasur takime me shefin e OSBE-së, i cili që nga viti 2012 është i ngarkuar me këtë proces. Do t’i analizojmë me kujdes për këtë çështje. Nuk kam përgjigje të menjëhershme për këtë çështje”, u shprehë Hoti në Klan Kosova.

“Nuk e di ende nëse do të mbahen, këto zgjedhje. Ende nuk e di”, tha tutje Hoti.

KALLXO.com ka dërguar sot gjatë ditës pyetje në Zyrën e Presidentit për të kuptuar nëse do të shpallen zgjedhjet për kryetar të Komunës në Mitrovicë të Veriut, por ende s’kemi marrë përgjigje.

KALLXO.com poashtu ka provuar të kontaktoj me me ministren e punëve të jashtme, Meliza Haradinaj, por që nuk kemi marrë përgjigje.

Në anën tjetër, është zyra e OSBE-së në Kosovë që është marrë me organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Shef i Zyrës për Çështje Politike dhe Komunikim në OSBE, Jeff Bieley në një deklaratë të shkurtë për KALLXO.com deklaroi se nuk ka ndonjë zhvillim të ri nga ana e OSBE-së sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Partia fituese e zgjedhjeve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje që tash ka mbetur opozitë ka nisur një peticion për mbledhjen e nënshkrimeve për shpalljen e zgjedhjeve të reja.