Senatori Rand Paul, Foto: BBC

Senatori Rand Paul mbështet tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova

Senatori amerikan Rand Paul është përfaqësuesi tjetër nga ana e republikanëve në ShBA që e ka mbështetur tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Paul përmes një publikimi në Twitter, ka inkurajuar Kosovën që të punojë në raport me Serbinë për një paqe të qëndrueshme.

“Unë mbështes paqen dhe tregtinë me të gjithë. Unë inkurajoj Kosovën që të kthejë një faqe dhe të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme. Koha për t’i sjellë trupat tona në shtëpi pas kaq vitesh atje…”, ka shkruar Rand Raul.

David Perdue, senator amerikan, dje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta largojë tarifën ndaj mallrave të Serbisë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin historik në horizont, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë”, ka shkruar në Twitter, senatori Perdue që vjen nga Partia Republikane të cilës i përket edhe Presidenti Donald Trump.

Edhe Donald Trump Junior, i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Kryeministrit Albin Kurti po i kërkohet që menjëherë të heq tarifën 100 për qind, pas paralajmërimeve të ShBA-së, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, muajin e kaluar ka thënë se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardh në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.