Senatorët amerikanë: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi kërkon sakrifica

Dy senatorë amerikanë kanë takuar sot liderët politikë të Kosovës për t’u përçuar mesazhin që të angazhohen në gjetjen e një zgjidhjeje politike me Serbinë në kuadër të dialogut.

Senatorët nga SHBA, Ron Johnson (republikan nga Ëisconsin) dhe Chris Murphy (demokrat nga Connecticut) kanë bërë thirrje për dialog me serbinë në mënyrë që, sipas tyre, zgjidhja t’i hapë rrugë zhvillimit të vendit.

“Dy gjëra janë të domosdoshme që të ndodh kjo rilindje ekonomike: së pari është reforma vendore, përkushtimi ndaj sundimit të ligjit, përkushtimi ndaj reformës në sistem të arsimit, por ashtu edhe përkushtimi ndaj dialogut me Serbinë i cili do të përfshijë zgjidhje të vështira si këtu, ashtu edhe në Beograd”, tha para gazetarëve senatori demokrat Chris Murphy.

Ne do ta vazhdojmë udhëtimin tonë që përfundon me një ndalesë në Beograd dhe një takim me Presidentin Vuçiq dhe do ta themi të njëjtën gjë që e thamë këtu: ne presim që ky dialog të jetë kuptimplotë dhe i frytshëm. Shpresojmë që të dyja palët do ta kuptojnë se kërkohen sakrifica në mënyrë që të jenë në gjendje t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe në mënyrë që të dyja shtetet të jenë në gjendje ta rrisin ekonominë”, shtoi senatori Murphy.

Senatori demokrat, i cili tha se për herë të dytë po qëndron në Kosovë, tha se saherë që vjen në Prishtinë, impresionohet nga energjia dhe gjallëria e popullit të Kosovës, një vend të cilin ai e përshkroi si “me kaq shumë sukses para vetes”.

“Ne jemi miq të Kosovës. Një marrëdhënie e veçantë ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë ndërmjet SHBA-ve dhe këtij vendi. Ne shohim një të ardhme për Kosovën me miqtë tanë në komunitetin evropian dhe të gjithë partnerët transatlantike të Amerikës mund të jenë partnerë në këtë sukses të Kosovës”, tha ai.

“Marrëveshja Kosovë- Serbi do të rezultojë me përfitime pozitive ekonomike dhe politike për të dyja vendet dhe ne do ta bëjmë këtë mesazh të qartë në Beograd ashtu siç e bëmë këtu”, tha Murphy

Ndërsa republikani Ron Johnson tha se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë do ta zhbllokonte potencialin e vendit për të ardhmen

“Arritja e një marrëveshjeje zhbllokon potencialin për të ardhmen. Ne jemi këtu pikësëpari për t’i mbështetur njerëzit në rajon, njerëzit në Kosovë e Serbi, ne duam t’i shohim ata duke arritur sukses”, tha senatori Ron Johnson.

“Duam paqe, siguri dhe besojmë fuqimisht se mënyra se si duam t’i arrijmë këto synime është përmes qeverisë që respekton sundimin e ligjit, që mbron të drejtat e pakicave”, shtoi ai.

Senatori Johnson dha një mesazh edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

“Kosova ka traditë të mirë me zgjedhje të lira dhe fer dhe presim që kjo traditë të vazhdojë. Ne inkurajojmë që të gjithë pjesëtarët e shoqërisë në Kosovë të marrin pjesë në këto zgjedhje”, tha senatori amerikan Ron Johnson.