Senati vendos për afatin e provimeve të UP-së

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” mes polemikash, sot ka vendosur që të aprovohet propozimi i parë i studentëve të këtij fakultetit për mbajtjen e provimeve në kohën e pandemisë së COVID-19.

Në këtë mbledhje u vendos që provimet nuk do të organizohen para datës 15 qershor, u aprovua edhe propozimi që në qershor të jenë dy afate, një plotësues dhe i rregullt, ku në afatin plotësues do të mbahen 1-2 provime, ndërsa në afatin e rregullt të qershorit të tjerat.

Po ashtu Senati vendosi që edhe në shtator përveç afatit të rregullt të mbahet edhe një tjetër plotësues deri më dy provime.

Kurse, në lidhje me datat e mbajtjes së afateve të provimeve, u është lënë njësive akademike të vendosin.

Para se të vendosej për këtë çështje, në senat u zhvillua një debat mes senatorëve studentë dhe dekanëve të fakulteteve të ndryshme.

Senati i UI-së ka vendosur lidhur me afatet e provimeve për vitin akademik 2019/20 dhe mënyrën e mbajtjes së tyre.

Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se duhet të merret një vendim që është i arsyeshëm dhe që është në përputhje me statutin.

Senatori studentë, Florian Bivolaku kërkoi që të aprovohen kërkesat e studentëve për afatet shtesë të provimeve.

“Ne i kemi pasur dy propozime që provimet të mbahet para datës 15 qershor dhe në qershor përveç afatit të rregullt të mbahet edhe një shtesë si dhe shtyrja e afatit akademik për dy javë. Andaj kërkojmë që kërkesa jonë të aprovohet”, tha Bivolaku.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Butë Dedaj tha se nëse realizohen provimet në mënyrë fizike mund të rrezikohet shëndeti i studentëe, pasi sipas tij pandemia ende nuk ka kaluar.

“Interesi kryesor i yni është shëndeti i studentëve dhe duhet me shiku nëse rrezikohet kjo. Ne duhet t’i respektojmë masat e IKShPK. Në fakultetin tonë ka një numër të madh studentësh dhe është e vështirë kjo”, tha ai.

Pas kësaj, reagoi senatori studentë Bivolaku, i cili tha se nëse provimet mbahen në mënyrë virtuale do të jetë vështirë për studentët.

“Disa studentë menxi kanë gjetur pajisje telefoni për me mbajtë ligjërata e leje më që për provime nuk mjafton vetëm një telefon, edhe këto gjëra teknike duhet të mendohen”, tha ai.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli tha se duhet të gjendet një zgjidhje për studentët.

“Është mirë që ne të diskutojmë dhe të respektojmë ligjet dhe statutet, por sido që të jetë ne në rrethana të veçanta duhet të reflektojmë për një zgjidhje më të mirë. Unë kam kërkuar gjithmonë që afatet jo të rregullta të vendosen në statut”, shtoi Dugolli.

Në anën tjetër, edhe dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi shprehi shqetësimin e tij për mbajtjen e provimeve, pasi në këtë fakultet ka shumë studentë.

“Së pari duhet të mendohemi a na lejohet mbajtja e provimeve fizike sepse edhe tek ne si në Ekonomik, ka një numër të madh të studentëve”, tha Gashi.

Dekani i Fakultetit të Sportit, Musa Selimi kërkoi që të aprovohen kërkesat e studentëve, pasi sipas tij edhe më herët kanë pasur përjashtime për afate të provimeve.

“Pajtohem me studentët që të mbahen dy afate sepse edhe nuk është risi tani kjo sepse edhe më herët ka ndodhur dhe ne duhet të jemi afër atyre. Duhet të merremi me problematikat e tyre që i cekën”, tha Selimi.

Më këtë nuk u pajtua, prorektori i UP-së, Faton Berisha, pasi sipas tij, nuk duhet të veprohet në kundërshtim me statutin e UP-së.

“Duhet të kemi kujdes, statutin nuk e kemi thy e as nuk e thyejmë. Duhet ta ndajmë diskutimin çka po bëjmë për afatet e provimeve dhe pastaj për vitin akademik”, shtoi Berisha.

Pas kësaj, rektori Marjan Dema tha se duhet të gjendet një zgjidhje dhe të mos humbin kohë më polemika mes vete senatorët.

“Kërkojmë nga studentët që mos mu marrë me afate, ne i vendosim afatet. Por është mirë që të gjejmë një zgjidhje dhe të mos humbim kohë”, tha ai.

Senatori i Fakultetit Ekonomik, Liridon Veliu ishte kundër që propozimet e studentëve të aprovohen, pasi sipas tij, dobësojnë cilësinë e arsimit.

“Me këto propozime jo vetëm që shkelet statuti por edhe ligji për arsimin e lartë dhe me këtë po dëmtohet cilësia e arsimit”, tha Veliu.

Kurse, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Abdullah Zejnullahu u pajtua me propozimet e studentëve.

“Propozoj afati i prillit i translatuar prej 15 deri 30 qershor të përfundoj në atë kohë, ai do të na shërben, sepse aty deri në dy provime, do na shërben një test. një trajnim për mbajtjen e provimeve në klasa tu i respektu rregullat e Institutit Kombëtar të Shëndetit dhe prej një korrikut të vazhdoj afati i rregullt i qershorit”, tha Zejnullahu.

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në pajtueshmëri me Këshillet Studentore të FM-së, FNA-së, FIEK-ut, FShMN-së, Fakultetit të Filologjisë, Fakultetit të Edukimit, Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Arteve, FBV-së, FEFS-it dhe shumicës së studentëve senatorë, kishin kërkuar që provimet e qershorit mos të mbahen para datës 15 qershor si dhe i kishin dërguar senatit dy propozime.

Këto ishin propozimet e Parlamentit Studentor:

Propozimi I: 1. Provimet nuk lejohet që të organizohen para datës 15 Qershor, 2. Mbajtja e afatit plotësues të Qershorit deri me dy provime, 3. Mbajtja e afatit të rregullt të Qershorit, 4. Mbajtja e rregullt e afatit të Shtatorit, 5. Mbajtja e afatit plotësues të Shtatorit deri me dy provime, 6. Të shtyhet fillimi i vitit të ri akademik për dy javë në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik.

Propozimi II: 1. Provimet nuk lejohet që të organizohen para datës 15 Qershor, 2. Mbajtja e afatit të rregullt të Qershorit, 3. Organizimi i një afati të plotë, të provimeve gjatë verës, 4. Mbajtja e afatit të rregullt të Shtatorit 5. Të ketë hapësirë të mjaftueshme kohor ndërmjet afateve, 6. Të shtyhet fillimi i vitit të ri akademik për dy javë në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik.