Senati i UP-së - Foto: KALLXO.com

Senati pret vendim nga Qeveria për mënyrën e fillimit të semestrit të dytë

Në mbledhjen e shtatë të Senatit të Universitetit të Prishtinës të mbajtur  sot janë miratuar gjashtë pikat e rendit të ditës.

Në fillim të mbledhjes është vendosur që pjesë e rendit të ditës të jetë edhe diskutimi për fillimin e semestrit veror për vitin akademik 2020/21.

Përfaqësuesit e studentëve kërkuan që mësimi në semestrin e dytë të fillojë fizikisht në fakultet.

“Ka pasë kërkesa të studentëve me fillu mësimin në prezencë fizike. Janë marrë raporte nga të gjitha fakultetet, ato raporte të cilat janë marrë shumica nuk garantojnë që do të mund të mbahen distancat”, ka thënë rektori Naser Sahiti.

Tutje, rektori ka kërkuar nga dekanët që të bëjnë përgatitjet e duhura për fillimin e semestrit të dytë për vitin akademik 2020/21.

Në këtë mbledhje është miratuar ekstrakti i procesverbalit nga mbledhja e Senatit të datës 24.12.2020, vendimi për emërimin e komisionit për zhvillim dhe cilësi në UP,  vendimi për emërimin e një anëtari të Këshillit të Etikës, plotësimi i kompetencave të komisionit për ankesa dhe parashtresa të Senatit, shqyrtim dhe marrja e vendimit për plotësim ndryshim të Rregullores nr. 2/474 të datës 1.10.2019 për procedurat përzgjedhëse  lidhur me emërimin, riemërimin  dhe avancimin e personelit akademik në UP, shqyrtimi dhe marrja e vendimit për plotësim-ndryshim të Rregullores nr.2/748 të datës 1.10.2019 për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin dhe riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje është diskutuar për akreditim dhe publikimin e shkrimeve në revista.

“Kemi një grup të fakulteteve të cilat e kanë të vështirë për shkaqe institucionale të akreditohen, ndërkohë që kandidati nuk ka faj, por është çështje institucionale   Si zgjidhje është me mbajt kriterin që e ka vendosur Agjencia e Akreditimit”, ka thënë Sahiti.