Foto: KALLXO.com
Senati i UP-së obligon personelin akademik që të aplikojë vlerësimin e vazhdueshëm të studentëve
Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e sotme (11.11.2024) ka marrë disa vendime për procedurat për vlerësimin e studentëve dhe mbajtjen e provimeve.
Siç përshkruhet në vendimin e Senatit të UP-së, në zbatim të Statutit të Universitetit të Prishtinës mbi vlerësimin e studentëve, i gjithë personeli akademik, në të gjitha njësitë akademike, është i obliguar që ta aplikojë “Modulin për vlerësimin e studentëve”, të vendosur në Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS).
Në bazë të këtij vendimi, vlerësimi i vazhdueshëm fillon sipas dinamikës së përcaktuar në syllabuset e lëndëve dhe përfundon më 30 dhjetor të vitit kalendarik për semestrin dimëror, si dhe më 31 maj të vitit kalendarik për semestrin veror.
Për zbatimin e këtij moduli do të plotësohet dhe ndryshohet edhe Manuali i Përdorimit, i cili është i vendosur në SEMS, thuhet në vendim.
Ndërkaq, për vitin akademik 2024/25, njësitë akademike obligohen që të bëjnë vlerësimin e studentëve për lëndët e vitit dhe semestrit paraprak, para afateve të provimeve të janarit, respektivisht qershorit të vitit 2025.
Në bazë të kësaj, në vendim thuhet se vlerësimi për këto lëndë do të realizohet përmes “Modulit për vlerësimin e studentëve” në SEMS, ndërsa vendosja e notave përfundimtare për këto vlerësime do të bëhet më së largu deri më 20.12.2024, përkatësisht 10.05.2025.
Tutje, vendimi i Senatit thotë se njësitë akademike, në përputhje me specifikat e programeve të tyre të akredituara do të vendosin në mënyrë autonome për numrin e lëndëve të vitit paraprak, por jo për më shumë se tri lëndë.
“Kësisoj, mundësohet përfundimi me kohë i të gjithë procesit të vlerësimit, si dhe sigurohet që studentët të mund të fillojnë paraqitjen e provimeve për lëndët e vitit në të cilin janë regjistruar, brenda afatit të janarit dhe afatit të qershorit 2025”- thuhet në vendim.
Vendimi i Senatit të UP-së po ashtu thotë se personeli akademik, bartësit e lëndëve, obligohen që më së largu brenda dy javësh nga marrja e këtij vendimi të bëjnë konfigurimet përkatëse të “Modulit për vlerësimin e studentëve”, t’i kenë të vendosura në SEMS syllabuset e lëndëve si dhe materialet mësimore.
Poashtu, njësitë akademike janë obliguar që të hartojnë kalendarin e vitit akademik 2024/25 për afatet e provimeve, për periudhën e dimrit (janarit), pranverës (qershorit) dhe vjeshtës (shtatorit), më së voni deri më 29.11.2024.
Vendimi thotë se njësitë akademike obligohen që të monitorojnë në vazhdimësi dhe t’i raportojnë menaxhmentit të UP-së.