
Senati i UP-së, 23.12.2024, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Senati i UP-së merr kohë shtesë për të vendosur për rastin e profesorit Enver Hasani
Rasti i profesorit të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, që u trajtua nga Këshilli i Etikës i UP-së, për të dytën herë u hodh në shqyrtim në Senat por nuk u mor vendim për të.
Senati i UP-së u mblodh sot, më 23.12.2024. Pika e dytë e rendit të ditës të kësaj mbledhjeje ishte shqyrtimi i pikës 9 të mbledhjes së kaluar të datës 27.11.2024, e cila u shty për mbledhjen e radhës.
Pika e 9 ishte shqyrtimi i vendimit të Këshillit të Etikës të UP-së për rastin e profesorit Hasani.
Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, njoftoi se kanë pranuar një opinion nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) të datës 17.12.2024, i cili është dhënë për konfliktin e interesit të paraqitur mes ish-kryesuesit të Këshillit të Etikës të UP-së, Iset Morina dhe profesorit Hasani. Morina e kishte trajtuar rastin e profesorit Hasani.
Hajrullahu propozoi që të shtyhet pika 2 e mbledhjes së sotme të Senatit pasi do t’i kërkojnë disa sqarime nga APK që të sigurohen se nuk janë duke gabuar në hapat e marrë ndaj Hasanit.
“E njoftoj Senatin me zë se ka arritur opinioni nga Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit në lidhje me rastin e Enver Hasanit. Prandaj, rekomandoj që kjo pikë të shtyhet për ndonjë mbledhje të radhës” – tha Hajrullahu më 23.12.2024.
Për Hajrullahun, opinionet e APK janë obligative dhe në asnjë mënyrë nuk do t’i neglizhojnë, pa përjashtim për kë bëhet fjalë në ato opinione.
“Ju rinjoftoj se në cilësinë e udhëheqësit të këtij Senati, unë nuk jam palë, po jam mbi palët cilatdo qofshin ato, pavarësisht cilatdo qofshin ato, pavarësisht për kë bëhet fjalë… E njoftoj Senatin me zë se ka arritur opinioni nga Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit në lidhje me rastin e Enver Hasanit. Prandaj, rekomandoj që kjo pikë të shtyhet për ndonjë mbledhje të radhës se ne nuk e dimë tash, duhet me kërku sqarime shtesë e me sqaru mirë bazën në bazë të fakteve” – ka thënë Hajrullahu.
Nga mbledhja e Senatit të UP-së, Hajrullahu e ka ftuar profesorin Hasani që t’i ndalojë disa veprime të cilat sipas tij po i bën në raport me trajtimin e rastit të tij në Këshillin e Etikës.
“Të ftoj dhe të apeloj publikisht para këtij Senati për profesorin Enver Hasani që të mos vazhdojë tutje dhe të përmbahet nga: 1. Dëmtimi i reputacionit të Universitetit të Prishtinës, 2. Inskenimi i situatave, obstruksioneve pra pengimin e drejtësisë, që të përmbahet nga tentimi i frikësimit i pjesëtarëve të Universitetit të Prishtinës, kryesisht anëtarëve të Senatit, por jo vetëm, ndër të tjera edhe duke i kërcënuar me kallëzime penale për ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre zyrtare” – ka theksuar Hajrullahu.
Hajrullahu tha se ata duhet një ditë të marrin një vendim, mirëpo sipas tij, vendimet e tyre duhet të jenë vendime të informuara dhe se nuk mund të marrin vendim në bazë të hamendësimeve.
“Në momentin kur ta kemi dosjen me sqarimet e Agjencionit për Parandalimin e Korrupsionit si dhe të gjitha faktet atëherë siç po thotë … opinioni i tanishëm [i APK-së], ne duhet të vendosim dhe tërë rastin ta rikthejmë në Këshillin e ri të Etikës për shqyrtim” – ka shtuar Hajrullahu.
Në opinionin ligjor të APK-së, të cilin KALLXO.com e ka siguruar, APK i kërkon UP-së që të trajtohet rasti i Hasanit nga një përbërje e Këshillit të Etikës pa konflikt të interesit.
“Agjencia kërkon nga Senati i UPHP-së që të ndërmerr masat për zgjidhjen e situatës së konfliktit të interesit konform nenit 19, paragrafët 2 (nënparagrafi 2.5), 3 dhe 4 të LPKI-së, duke revokuar ose shfuqizuar vendimt dhe veprimet procedurale të Këshillit të Etikës për këtë rast, ashtu që të ndalet procedura dhe procesi disiplinor ndaj z. Enver Hasani të kthehet në fazën fillestare, si dhe të trajtohet denoncimi nga një përbërje e Këshillit të Etikës pa konflikt të interesit, e të njoftohet Agjencia për masat e ndërmarra” – thuhet në pikën 2 të opinionit të APK-së, të datës 17.12.2024.
Hajrullahu po ashtu pretendoi se Hasani ka pasur një deklarim të rrejshëm në Agjenci të Kosovës për Akreditim.
“Ma e rëndësishmja është që ta sqarojë komunitetin akademik për rastin e tij të deklarimit të rrejshëm nën betim të deponuar në Agjencionin e Kosovës për Akreditim” – ka thënë Hajrullahu.
Në anën tjetër, KALLXO.com e ka pyetur profesorin Hasani për pretendimet e Hajrullahut, dhe ai ka kërkuar të publikohet e plotë kjo përgjigje:
“Letrën në fjalë e keni të plotë në GAZETAEXPRESS. Vlerësojeni vetë ju nëse aty ka kërcënim!
Për të tjerat nuk kam asnjë koment sepse jam në konflikt interesi me zotin Arben Hajrullahu (kam bërë kallëzim penal ndaj tij, jam duke ushtruar padi civile dhe e kam denoncuar në Këshill të Etikës).
Nuk e kam parë çfarë ka thënë sot sepse kam qenë zënë me mësime. Por ai nuk ka guxuar ligjërisht, dhe nuk guxon të kryesoj, asnjë Senat kur bëhet fjalë për mua sepse ka konflikt të hapur të interesit për aryset që i ceka më sipër. Konflikti interesit vlen si për të ashtu edhe për mua, për të më shumë sepse është titullar i UP, për mua fare sepse jam qytetar i lirë por për korrektësi rezervohem nga prononcimet që afektojnë procedurat ligjore që kam nisur kundër tij”.
Për komisionin ad-hoc për shqyrtimin e ngritjeve akademike të rektorëve që u krijua në mbledhjen e Senatit të UP-së, të datës 27.11.2024, foli sekretari i përgjithshëm i UP-së, Besnik Loxha.
Sipas Loxhës, komisioni do t’i shqyrtojë ngritjet akademike të rektorëve nga viti 1990 deri më sot e që ende janë në marrëdhënie pune. Ai madje bëri të ditur se është njëri nga anëtarët e këtij komisioni.
Për vendimin e krijimit të komisionit për shqyrtimin e ngritjeve akademike të rektorëve të UP-së, Loxha tha se ka kërkuar një opinion nga komisioni i rregullt i Senatit të UP-së (komisioni statutar i UP-së), nëse ky vendim ka bazë statutare.
“Përgjigje ende s’kam marrë, jemi në pritje. Nuk e di edhe a është taku komisioni” – njoftoi Loxha.
Arsyeja pse Senati i UP-së nuk i dha zgjidhje rastit të profesorit Hasani në mbledhjen e datës 27.11.2024 doli të jetë një deklarim gjatë mbledhjes nga kryetarja e Parlamentit Studentor të UP-së, Blerta Zeqiraj.
Zeqiraj kishte thënë se dy ditë para mbledhjes kanë marrë edhe kërcënime nga senatorët e UP-së se si të votojnë në Senat për rastin e profesorit Hasani.
“Ne ose unë personalisht kam pasë ndoshta edhe mesazhe edhe nëpërmjet njerëzve, edhe telefonata, ndoshta edhe kërcënime se qysh sot me votu, a të votoj kundër, a të votoj pro a të abstenoj apo a të dal krejtësisht nga mbledhja. Unë po besoj që mesazhet, nuk jeni ju… Po besoj se ata persona janë këtu të pranishëm… besoj e marrin mesazhin që na si Parlament Studentor nuk përkrahim individë për atë se çka është e drejtë” – kishte deklaruar Zeqiraj më 27.11.2024.
Pas deklarimit të Zeqirajt, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, vendosi që pika 9 e rendit të ditës të mbledhjes së Senatit të UP-së, në të cilën ishte planifikuar të flitet për rastin e Hasanit, të shtyhet për mbledhjen e radhës të Senatit.
Hajrullahu kishte sqaruar se u duhet një muaj kohë pasi do ta përfshijnë rastin e profesorit Enver Hasani në mesin e rasteve që do t’i shqyrtojë një komision ad-hoc për të gjithë rektorët me marrëdhënie të rregullt pune në UP. Hasani ka qenë rektor i UP-së.
“Ky është vullneti sa po e konstatoj unë që pika e nëntë e rendit të ditës të shtyhet faktikisht për mbledhjen e radhës… Konstatoj që pika 9 pas diskutimit gjithpërfshirës besoj secili, secila e tha mendimin e vet në frymë janë shumë për, asnjë nuk qe kundër që mos me u kthy ligjshmëria në këtë vend… Kur ka pritur prej 15.07.2009 deri më tani, 27.11.2024, nuk është fundi i botës e besoj që edhe nga organet e rendit do të kenë mirëkuptim që neve na nevojitet kohë” – kishte thënë rektori Hajrullahu.
Senati i UP-së votoi që të krijohet komisioni ad-hoc për shqyrtimin e të gjithë rektorëve të UP-së me marrëdhënie të rregullt pune për mënyrën se si janë avancuar deri te rektori aktual, Arben Hajrullahu.
Në fillim të shqyrtimit të rastit të Hasanit nga Senati i UP-së, Hajrullahu tha se e kanë shqyrtuar këtë rast tre juristë të cilët nuk janë nga UP-ja. Me këtë rast, ai kishte ardhur me një njoftim dhe propozim në Senat se si të zgjidhet rasti i Hasanit.
Sa i përket njoftimit për këtë rast, Hajrullahu tha se vendimit të Këshillit të Etikës të UP-së për profesorin Hasani, i marrë më 25.09.2024, i ka kaluar afati.
Duke u mbështetur në rregulloren numër 857 të UP-së, Hajrullahu përmendi se është dashur të merret vendim brenda 30 ditësh nga momenti i paraqitjes së shkeljes.
Sipas llogaritjes, Hajrullahu tha se është dashur që deri në fund të ditës së 25.09.2024 të merret vendim për këtë rast. Edhe pse Këshilli i Etikës i UP-së kishte marrë vendim më 25.09.2024, vendimi ishte protokolluar në UP më 27.09.2024.
Kurse, propozimi i Hajrullahut për rastin e Hasanit në Senat ishte që Hasani të kthehet në thirrjen akademike që kishte qenë para marrjes së vendimit për t’u avancuar.
“Me rastin e anulimit të vendimeve, z. Enver Hasani do të kthehet në thirrjen akademike që kishte përpara marrjes së vendimit të anuluar. Për më tepër, në përputhje me nenin 59 të LPPA-së (Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative), të gjitha pagesat dhe kontributet që janë paguar nga Universiteti i Prishtinës në bazë të aktit të anuluar do të kthehen. Kjo masë do të llogaritet nga Universiteti i Prishtinës në përputhje me dispozitat për pasurimin e pabazë sipas legjislacionit civil” – kishte propozuar Hajrullahu.
Por, ky propozim nuk arriti të votohet nga senatorët e UP-së pasi u vendos që të shtyhet rasti i Hasanit në mbledhjen e radhës të Senatit.
Më 30.09.2024, KALLXO.com ka raportuar se Këshilli i Etikës i UP-së i ka rekomanduar Senatit të UP-së ta miratojë një vendim nga mbledhja e mbajtur më 25.09.2024, përmes së cilit do të merreshin disa masa ndaj profesorit Hasani.
Sipas vendimit të Këshillit të Etikës të UP-së, profesori Hasani do të pësonte: degradim, ulje të gradës akademike nga profesor i rregullt në profesor i asociuar; revokim të mirënjohjeve dhe privilegjeve honorifike të Hasanit si ish-rektor i UP-së; mohim të pjesëmarrjes së Hasanit në komisione profesionale për tri vjet si dhe përfshirjes në mentorim të të gjitha niveleve për një vit vijues.
Profesori Enver Hasani është denoncuar në Këshillin e Etikës të UP-së nga dekani i Fakultetit Juridik në UP, Avni Puka, se ka bërë disa shkelje të rënda të Kodit të Etikës të UP-së.Denoncimi i dekanit Puka ndaj profesorit Hasani përmban tri pretendime kryesore, në të cilat thuhet se: Hasani gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024 nuk kishte mbajtur ligjërata; ka marrë thirrje akademike në mënyrë të kundërligjshme duke mos respektuar kohëzgjatjen e thirrjeve paraprake sipas Statutit të UP-së dhe ka dëmtuar vazhdimisht imazhin e Fakultetit Juridik dhe UP-së duke dhënë deklarata të ndryshme elektronike dhe audiovizuele.
KALLXO.com kishte kontaktuar me Hasanin, i cili i kishte quajtur “fiktive” pretendimet e dekanit Puka ndaj tij, ndërsa kishte paralajmëruar se do të ushtrojë kallëzim penal ndaj kryesuesit të Këshillit të Etikës të UP-së në atë kohë, Iset Morina.
“Ky vendim do të thotë është i Iset Morinës dhe Avni Pukës. Është huliganizëm klasik institucional, abuzim me pushtetin. Për këtë arsye, unë, javën tjetër do të bëj kallëzim penal kundër Iset Morinës. Vendimi është tërësisht i bazuar në pretendimet personale të Avni Pukës që janë fund e krye fiktive, nuk kanë lidhje me realitetin asnjë” – ka thënë Hasani më 27.09.2024.
Këshilli i Etikës i UP-së kishte vendosur për Hasanin në mungesë të dëshmisë së tij për këtë rast, derisa thotë se i kishin ofruar hapësirën që ai të japë dëshmi. Enver Hasani kishte thënë se kishte refuzuar dëshminë në Këshill të Etikës për shkaqe shëndetësore dhe se kishte kërkuar që të dëshmonte pasi të përfundonte terapinë mjekësore.
Po ashtu, vendimi i Këshillit të Etikës të UP-së është klasifikuar edhe si vërejtje me shkrim për Hasanin, përmes të cilës synohet që Hasani të përmbahet nga çfarëdo përdorimi i gjuhës së papërshtatshme, fyese, pa takt akademik dhe denigrues ndaj personelit të UP-së dhe Universitetit.
Këshilli i Etikës së UP-së i cili e trajtoi rastin e Hasanit, por që i ka përfunduar mandati më 01.10.2024, përbëhej nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.
Ndërsa, më 27.11.2024, Senati i UP-së ka votuar anëtarët e Këshillit të ri të Etikës të UP-së, i cili përbëhet nga pesë anëtarët: Flamur Hyseni (kryesues), Rajmonda Nallbani- Komoni, Qëndrim Gashi, Safet Merovci dhe Furtuna Sheremeti.
Raportimin e plotë në lidhje me rekomandimet e Këshillit të Etikës të UP-së për profesorin Hasani mund t’i lexoni në këtë LINK.