Foto: KALLXO.com/ 26.09.2019.

Senati i UP-së diskuton për kandidaten e dhjetësheve që s'u pranua Asistente

Senati i Universitetit të Prishtimnës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e sotme ka diskutuar në lidhje me konkursin për bashkëpunëtor të jashtëm, ku u apostrofua edhe emri i kandidates me notë mesatare 10-she, Shqipdona Lahu e që nuk u pranua si Asistente në Fakultetin e Mjekësisë.

Me këtë rast, dekanja e këtij fakultetit, Suzana Manxhuka-Kërliu tha se kandidatja në fjalë ka aplikuar në tri pozita dhe se shefat e katedrave janë interesuar për persona që dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë në institutin paraklinik.

“Kandidatja në fjalë ka aplikuar në tri pozita dhe e kemi diskutuar këtë çështje në njërën lëndë nuk është paraqitur në intervistë, kurse këto tri lënde janë para klinike, ku kemi një rënie të interesimit dhe disa kanë aplikuar sa për t’u bërë Asistent dhe pastaj shkojnë në klinika tjera, dhe normalisht që shefat e katedrave janë të interesuar të gjejnë persona që qëndrojnë më gjatë në këto katedra, ata i kanë dhanë arsyet e tyre”, tha dekanja.

Tutje ajo shtoi se sipas anëtarëve të komisioneve recensuese ajo nuk ka paraqitur dëshmi se ka doktoratë, duke shtuar se “nota mesatare në Fakultetin e Mjekësisë nuk është reale kur bëhet fjalë për fëmijët e doktorëve”.

“Ne i respektojmë vendimet e komisioneve recensuese. Kandidatja nuk ka tregu dëshmi që ka doktoratë, pastaj po del që është regjistruar në Gjermani, kur shkon atje kur ka me mbajt mësimin, fatkeqësisht në fakultetin tim nota mesatare nuk është reale kur janë pyetjet fëmijët e doktorëve”, shtoi Manxhuka-Kërliu.

Pas kësaj, dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku tha se raste të tilla ka hasur edhe në fakultetin e tij, duke kërkuar që të rishikohet rregullorja për angazhimin e asistentëve në UP.

“Të bashkëpunëtorët e jashtëm mendoj se rregullorja duhet me u shiku urgjentisht”, tha ai.

Kurse, rektori i UP-së, Marjan Dema tha se nuk është nevoja që të merren me raste individuale dhe nëse ka nevojë rregullorja do të rishikohet.

Shqipdona Lahu, u bë lajm i ditës të enjten e kaluar duke treguar se aplikoi në tri konkurse për bashkëpunëtore të jashtme, ndërsa komisionet recensuese në të tri rastet propozuan kandidatë të tjerë që ajo thotë se nuk e meritojnë.

Ajo madje tha se ky ishte shkaku që e shtyri të vendosë për të vazhduar Doktoraturën në Gjermani në vend se të qëndrojë në Kosovë.

Lahu kishte kishte aplikuar në tri konkurse, Anatomi 1 dhe 2, Farmakologji me toksikologji(MP dhe Stomatologji) dhe Fiziologjisë Patologjike.

Megjithatë, Komisionet Recensuese në këto fakultete kishin thënë se vajzës nuk i është bërë e padrejtë.

Ajo udhëtoi për në Gjermani të dielen.

https://kallxo.com/gjate/braktis-kosoven-kandidatja-me-10-she-qe-nuk-u-pranua-asistente-ne-fakultetin-e-mjekesise/