Senati i UP 'Hasan Prishtina' miraton rekomandimin e Konferencës së Rektorëve që viti i ri akademik 2021/22 të fillojë më 15 tetor

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti para senatit të UP tha se është rekomanduar nga ana e Konferencës së Rektorëve që viti akademik të fillojë më 15 tetor.

“Si pasojë e pezullimit dyjavor të aktiviteteve mësimor, konferenca e rektorëve e ka parë që i tërë procesi mësimor të filloj nga 15 tetori. Sa i përket mënyrës së procesit mësimor është konstatim i te gjithëve që procesi të zhvillohet duke respektuar udhëzuesit me prezencë fizike dhe orët të ndahen, grupet të ndahen në gjysmë”, tha Sahiti.

 

Ai tha se deri më 15 tetor edhe Qeveria e Kosovës do të dalë me një rekomandim për fillimin e vitit akademik.

“Deri më 15 tetor qeveria do të na jep një rekomandim dhe urojmë që të ulet numri i të infektuarve dhe të zhvillojmë ligjëratat në prezencë fizike”, tha më tej ai.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj, kërkoi që në këtë fakultet të vendosin vetë për formën e organizimit të ligjëratave për shkak të numrit të madh të studentëve.