Senati francez voton për rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjet mes protestave në rritje

Senati i Francës ka votuar sot për ta rritur moshën e pensionit me dy vjet, nga 62 sa është aktualisht në 64 vjet, ndërkohë që qeveria po lëviz për ta riparuar sistemin e pensioneve të vendit përballë kundërshtimit të fortë nga sindikatat.

Organi legjislativ i dominuar nga konservatorët votoi në favor të një neni vendimtar për ta rritur moshën e daljes në pension me 201 vota në 115 në favor të nenit.

Debati do të rifillojë më vonë të enjten mbi një amendament të diskutueshëm të projektligjit.

Shumica e Senatit po nxiton ta përmbushë një afat të mesnatës së së dielës për ta finalizuar legjislacionin.

Politikanët liberalë kanë shprehur zemërim pas votimit.

“Emri juaj do t’i bashkangjitet përgjithmonë një reforme që do ta kthejë kohën gati 40 vjet mbrapa”- i tha socialistja Monique Lubin Ministrit të Punës Olivier Dussopt.

Sindikatat janë zotuar të bëjnë presion mbi qeverinë duke organizuar protesta dhe greva.

Të mërkurën, dërgesat e karburantit, trenat dhe fluturimet u ndërprenë për të dytën ditë pas mitingjeve masive.

Portet kryesore detare u bllokuan gjithashtu, pasi punëtorët e porteve ishin në mesin e atyre që iu bashkuan grevave të vazhdueshme që kërkonin ta bindin presidentin Emmanuel Macron ta ndryshojë kursin e projektligjit të cilin ai e ka mbrojtur.

Macron e ka vënë ndryshimin në qendër të axhendës së tij politike, me qeverinë e tij që argumenton se rritja e moshës së pensionit dhe forcimi i kërkesave për një pension të plotë janë esenciale për ta mbajtur sistemin larg nga zhytja në një deficit.

Franca mbetet prapa shumicës së fqinjëve të saj evropianë, të cilët e kanë rritur moshën e pensionit në 65 vjeç e lart./France24

Përgatiti: Nuhi Shala