Senati do të pranojë zyrtarisht padinë kundër Trumpit

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara do të nisin ceremoninë e bartjes fizike të padisë ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump në ambientet e Senatit.

Trump është akuzuar për “nxitje të kryengritjes”, lidhur me sulmin në Kongres më 6 janar nga mbështetës të Trumpit.

Demokratët do të tentojnë të bindin sa më shumë republikanë që të dënojnë Trumpin dhe më pas të votojnë ndaras për t’ia ndaluar atij garën për president në të ardhmen.

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar për të paditur Trumpin më 13 janar.

Të paktën 17 senatorë republikanë do të duhet t’iu bashkohen demokratëve në mënyrë që të dënojnë Trumpin, ndonëse një gjë e tillë ka pak mundësi të ndodhë.

Trump është presidenti i parë amerikan që paditet për herë të dytë dhe i pari që përballet me gjyq pasi është larguar nga zyra.

Dhuna në Kongres ka shpërthyer pasi Trump ka pretenduar në disa raste – ndonëse pa ofruar të dhëna – se ai në fakt ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se procesi ka qenë “i manipuluar”.

Në orët e para të 6 janarit, mijëra mbështetës të Trumpit kanë dëgjuar thirrjen e tij për të luftuar ashpër për të mbrojtur shtetin.

Si pasojë e përleshjeve në Kongres kanë mbetur të vdekur pesë persona./REL