Gjykata Themelore e Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Sëmuret i akuzuari, dështon seanca për vrasjen e para tre vitesh në Pejë

Në tre vjetorin e vrasjes së Mentor Zekajt, Gjykata e Pejës ka dështuar të vazhdojë procesin gjyqësor për vrasjen e tij.

Në incidentin e 6 marsit të vitit 2017, nga plumbat e shkrepur u vra Mentor Zekaj.

Për vrasjen e Mentorit është duke u gjykuar Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.

Vrasja po pretendohet të këtë ndodhur për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurove që Kreshnik Haliti ia kishte Mentor Zekajt.

Seanca e sotme gjyqësore ka dështuar të mbahet për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësorë të të akuzuarit Kreshnik Haliti.

“Nuk është prezent Kreshnik Haliti e as mbrojtësi i tij Besnik Berisha, nga qendra korrektuese dhe nga mbrojtësi, gjykata është njoftuar se i akuzuari për shkak të gjendjes shëndetësore gjendet në Spitalin Rajonal të Pejës” tha gjyqtarja Lumturije Muhaxheri.

Prezent nuk ishte as pala e dëmtuar dhe përfaqësuesi i tyre, pasi sipas gjyqtares të njëjtit janë njoftuar nga Gjykata se nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

Kujtojmë se Kreshnik Haliti iu shqiptuan 22 vite burgim për këtë vrasje në gjykimin e parë por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Seanca e radhës u caktua me 11 dhe 12 maj.