Selmanaj: Vetëm gjatë vitit 2022, rreth 105 mijë qytetarë aplikuan për vizë në Ambasadën gjermane

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, është shprehur i shqetësuar pasi sipas tij një numër i madh i njerëzve në vend nuk po e projektojnë më jetën në Kosovë.

“Një numër i madh i njerëzve në Kosovë s’po e projektojnë më jetën në Kosovë, s’po i projektojnë më idealet e tyre për të realizuar të ardhmen e tyre në Kosovë. Fshatrat po zbrazen, shkollat po boshatisen  dhe shtëpitë po mbyllen”- tha Selmanaj.

Ai theksoi se vetëm në Ambasadën gjermane, për një vit rreth 105 qytetarë aplikuan për vizë ndërsa në atë zvicerane, mbi 38 mijë aplikues.

“Vetëm në Ambasadën gjermane për një vit, gjatë vitit 2022, 105 mijë qytetarë kanë aplikuar për vizë. Në atë zvicerane 38 mijë e 341 aplikues për vizë dhe nga ta 34 mijë janë pajisur me vizë. Kjo qenka Qeveri e shpresës, kjo qenka Qeveri që nxit kurajon e njerëzve për të jetuar në Kosovë. Nga MPB kam marrë informatë që brenda dy viteve 10 mijë qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës” – tha ai.

“Trendi është në rritje masive dhe nëse vazhdojmë me këtë trend, jam i bindur që për 10 vitet e ardhshme në Kosovë do të mbesim me popullatë më pak se Mali i Zi. Gjithsesi duhet të ngrisim alarmin e një emergjence shtetërore. Nëse mbesim me 600 mijë banorë atëherë e pyesim veten, për kënd jemi këtu?”- shtoi ai.

Deputeti i LDK-së thotë se duhet bërë një analizë se cilat janë shkaqet tjera të ikjes pasi sipas tij, argumentet nuk mund të jenë vetëm gjendja ekonomike po edhe vlera të tjera.