Selmanaj: Veç Zyra e Kryeministrit nuk ka dërguar dokumentet që ia kemi kërkuar si komision hetimor për krizën energjetike

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot kanë diskutuar në lidhje me datat për intervistim si dhe dokumenteve të dërguara nga institucionet.

Kryesuesi i këtij komisioni, Driton Selmanaj, tha se institucionet kanë pasur kohë deri më sot që të dërgojnë dokumentacionet në lidhje me krizën energjetike, por që vetëm Zyra e Kryeministrit nuk është treguar bashkëpunuese.

“Në javën e kaluar kemi votuar listën e institucioneve dhe të gjitha institucionet kanë dërguar informacionet dhe dokumentacionet e kërkuara përveç Zyrës së Kryeministrit. Ne po i japim ende kohë Zyrës së Kryeministrit për disa ditë shtesë, deri sot një javë”, tha Selmanaj.

Deputetët e këtij komisioni u dakorduan që intervistat të fillojnë në fillim të muajit korrik ku do të intervistohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë.

Me intervistat do të vazhdohet gjatë tërë muajit korrik e më pas të vazhdohen edhe në shtator, kurse muajt tetor dhe nëntor të jenë për analizimin e dokumentacioneve dhe fakteve e në fund të muajit nëntor të dalin me raportin përfundimtar hetimor.