Selmanaj u kundërpërgjigjet partnerëve të koalicionit: Kryeministri - autoriteti i vetëm që udhëheq dialogun

Zëvëndëskryeministri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka reaguar ndaj polemikave të fundit brenda dhe jashtë Qeverisë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Ministri i Drejtësisë, Selimi Selimi, i cili vjen nga radhët e AAK-së, për çështjen e dialogut ka thënë se deri sa përjashtohet nga dialogu si partner i koalicionit nuk dihet sigurt që qëllimi i 17 Shkurtit po realizohet.

Selmanaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se posti i kryeministrit është autoriteti i vetëm ekzekutiv që udhëheq procesin e dialogut.

“Për të gjithë ata që ende kanë dilema.. Kryeministri i Qeverise së Kosovës është autoriteti i vetëm ekzekutiv që udhëheq dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.Platforma e vetme politike për dialog është dhe mbetet Kushtetuta e Kosovës”, ka shkruar ai.

Tutje, Selmanaj ka përsëritur parimet dhe çështjet që nuk do të negociohen në tavolinën e bisedimeve si dhe ka përmendur mbështjetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

Për të gjithë ata që ende kanë dilema..

Kryeministri i Qeverise së Kosovës është autoriteti i vetëm ekzekutiv që udhëheq dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Platforma e vetme politike për dialog është dhe mbetet Kushtetuta e Kosovës

Parimet e dialogut:

Dialogu zhvillohet për çështje politike, dialogu teknik tashmë i takon së kaluarës;

Dialogu do të përfundoj me njohje reciproke;

Marrëveshja do të jetë gjithpërshirëse dhe ligjërisht e obligueshme;

Marrëveshja përfundimtare do të jetë në plotni me frymën e Kushtetutës së Kosovës, në të kundërtën nuk do pranohet asesi.

Çështjet që nuk do diskutohen në negociata;

Territori, sovraniteti dhe

Sistemi unitar i shtetit.

 Jemi të bindur që ky proces nuk mund të mbyllet suksesshëm pa përkrahjen e miqve tanë SHBA-BE. Kjo përkrahje ekziston dhe për këtë nuk duhet të ketë dilema askush.

 Kjo temë kërkon transparencë, unitet dhe lidership me përgjegjësi të larta shtetërore e kombëtare. Këtë angazhim dhe përkushtim tashmë e ka dëshmuar qeveria me kryeministrin Hoti.

 Tema tjera të rëndësisë terciare dhe për politika të brendshme dhe me interes ditor kemi dhe do ketë gjithmonë me bollëk.