Deputeti Driton Selmanaj - Foto: KALLXO.com

Selmanaj për dialogun dhe territoret: Do të shkojmë me pa nëse ka thika e gërshërë

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj në seancën e Kuvendit ka thënë se qeveria do të ballafaqohet me të gjitha problemet.

Selmanaj tha se do të marrin përsipër dialogun, për të parë nëse ka “thika e gërshërë”, duke aluduar për marrëveshjen e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe diskutimet për territore.

“Problemet nuk po dojmë me i lanë ndër tepih, po dojmë me u ballafaqu me to, sado të rënda që janë. Edhe nëse ka diku thika e gërshërë, do të shkoj me i pa. Do të shkoj me pa a ka gjak dikund, a ka shampanjë diku. Në momentin që e shohim kemi me ardh këtu me ju thanë që është e vërtetë, paska thika, paska gërshërë dhe Kosovës po i përgatitet e keqja. S’kemi me fshehë”, theksoi Selmanaj.

Kuvendi është duke mbajtur debat parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, në të cilën po raporton kryeministri Avdullah Hoti, para shkuarjes në takimin e Shtëpisë së Bardhë me 27 qershor.