Selmanaj: Në qeverinë e re, MAP do të bashkohet me MPB-në dhe MAPL-në

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nga legjislatura e kaluar, Driton Selmanaj ka thënë se në qeverinë e ardhshme do të ketë bashkim të Ministrisë së Administratës Publike (MAP), Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në një ministri të vetme.

“Sipas vlerësimit tonë nuk do të ketë as ministri të Administratës Publike në qeverinë e ardhshme, kjo do të fuzionohet me ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Pushtetit Lokal, krejt këto do të jenë një ministri e vetme”, ka thënë Selmanaj përballë Jeta Xharrës, në emisionin Jeta në Kosovë.

Selmanaj në emisionin “Jeta në Kosovë” ku u diskutua për punësimin në institucionet publike ka thënë se për qeverinë e ardhshme do të jetë sfidë riorganizimi i ministrive, rishikimi i ligjeve dhe rishikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Për fatin e keq kjo është një ndër punët e mëdha që na kanë lënë në dorë qeveritë e kaluara”, ka theksuar Selmanaj.

Në emisionin Jeta në Kosovë, ku është trajtuar tema e punësimit në institucionet publike kanë qenë të ftuar, Naser Shamolli, drejtor i Zyrës Ligjore në MAP; Driton Selmanaj nga LDK, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Burim Tahiri, këshilltar i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit; Safet Berisha, drejtor në Departamentin Ligjor në ZKA dhe Visar Rushiti nga Demokracia Plus.

Në pjesën e parë të emisionit Jeta në Kosovë, përballë Jeta Xharrës ka qenë i ftuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosjëe për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: