Selmanaj: LDK dhe VV ende nuk kanë vendosur se kush do të jetë ministër i Brendshëm

 

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nga legjislatura e kaluar, Driton Selmanaj ka thënë se ende nuk kanë biseduar me Lëvizjen Vetëvendosje se kush do të jetë ministër i Brendshëm në qeverinë e ardhshme.

“Jo nuk kemi bisedu, ende nuk kemi arritur në fazën se kush do të jetë ministër i Punëve të Brendshme sepse shikoni se çka po bën KQZ me rinumërim”, ka deklaruar Selmanaj përballë Jeta Xharrës, në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, ku u trajtua punësimi në institucione publike, Selmanaj ka thënë se problemi më i madh kanë qenë përafrimi në program e jo ndarja e ministrive.

“Ne kemi mendu dhe vazhdojmë të mendojmë se problemet më të mëdha i kemi pasur se si të përafrohemi ideologjikisht në program, nuk e kemi problem kush kë ka me marrë si ministri, po besojmë ashtu”, theksoi Selmanaj.

Selmanaj ka deklaruar se është e rëndësishme që meritokracia të shfrytëzohet si instrument për punësim.

“Krejt çka është e rëndësishme në këtë vend është ta ndërrojmë kulturën qeverisëse dhe më pas të fillojmë meritokracinë si instrument, ta shfrytëzojmë në secilin moment punësimi. Përmes kësaj kthehet shpresa për me jetu në këtë vend”, shtoi ai.

Në emisionin Jeta në Kosovë, ku është trajtuar tema e punësimit në institucionet publike kanë qenë të ftuar, Naser Shamolli, drejtor i Zyrës Ligjore në MAP; Driton Selmanaj nga LDK, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Burim Tahiri, këshilltar i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit; Safet Berisha, drejtor në Departamentin Ligjor në ZKA dhe Visar Rushiti nga Demokracia Plus.

Në pjesën e parë të emisionit Jeta në Kosovë, përballë Jeta Xharrës ka qenë i ftuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: