Selimi takohet me Kryeprokurorin Lumezi, garantojnë siguri për ditën e zgjedhjeve

 

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi është takuar me kryeprokurorin, Aleksandër Lumezi. Gjatë këtij takimi ministri në detyrë me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi kanë diskutuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Duke konsideruar se Kosova është e dëshmuar për zgjedhje të lira dhe fer, si shtyllë e demokracisë funksionale dhe shembull për shumë shtete të rajonit, se duhet ruajtur këtë pjekuri elektorale dhe përgjegjësinë e manifestuar të qytetarëve, gjatë procesit zgjedhor”, ka thënë Selimi.

Në këtë takim, Selimi ka bërë thirrje që komisionerët dhe vëzhguesit t’iu përmbahen principeve të administrimit të procesit të votimit dhe numërimit në mënyrë që të sigurojnë integritet të kutisë së votimit, duke garantuar proces transparent e kredibil, por po ashtu është diskutuar që të mos bien pre e kryerjes së veprës penale të mashtrimit në votime, vepër kjo që sipas ligjit është e dënueshme deri në pesë vite burgim.

“Komisionerët dhe vëzhguesit janë gardianë dhe garantues të ruajtjes së votës së lirë dhe si të tillë duhet të jenë përgjegjës që vota e secilit qytetar të shkojë në destinacion, duke siguruar proces të drejtë zgjedhor”, ka thënë Selimi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se Prokuroria e Shtetit është adresë për raportim të çfarëdo rasti të kundërligjshëm, duke thënë se të gjitha keqpërdorimet do të ndiqen dhe ndëshkohen sipas ligjit.