Selimi- LDK-së: Ne po kthehemi te qytetarët e ju rrini në mbrojtje të Thaçit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se seanca e sotme e thirrur për të bërë qeveri të re është tentativë për ta dërguar edhe një hap më tutje procesin e grabitjes së fitores së qytetarëve të Kosovës dhe për të zhbërë verdiktin e sovranit të 6 tetorit.

“Sot disa parti humbëse disa të vogla e disa pak më të mëdha se të voglat janë bërë bashkë për ta sfiduar vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet e fundit. Kemi përballë ata që duan të bëjnë qeveri pa fituesin dhe pa qytetarin”, tha Selimi.

Selimi tha se qeveria që po tentojnë ta votojnë sot është rrjedh e mashtrimit të dyfishtë.

“Qytetarët dhe neve si partner tuaj. Qeveria që doni ta formoni është ilegale dhe ilegjitime. Dekreti që e sajoj presidenti juaj është i pa bazuar në kushtetutë”, tha Selimi.

Qeveria e VV-së sipas Selimit ishte dhe do të jetë qeveri e qytetarëve të vendit që punon drejt e pa kompromise.

“Le të shkojmë në zgjedhje të parakohshme për ta respektuar edhe vullnetin e qytetarit edhe kushtetutën e vendit që e thotë një gjë të tillë. Nëse ju keni vendos kështu atë herë bashkë do të shihemi në përballje tjera politike”, tha Selimi.

Ai tha se po kthehet në shesh tek qytetarët.

“Ne po kthehemi te qytetarët e ju rrini në mbrojtje të Thaçit”, tha ai.