Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Selimi: Kemi konfiskuar mbi 600 mijë euro ari

Selim Selimi, kandidat për deputet nga AAK dhe ish-ministër i Drejtësisë, ka thënë se në kohën e qeverisjes, sa ishte në krye të dikasterit të Drejtësisë, është konfiskuar një sasi e madhe e arit.

Ai, në DebatPernime, tha se kanë kërkuar që sasia e konfiskuar të dërgohet tek rezervat shtetërore.

“Problemi me konfiskimin e pasurisë qëndron të gjykatat, pasi që gjykatat zakonisht nuk lëshojnë urdhëresë për sekuestrim. Gjatë mandatit tim kemi sekuestruar dhe konfiskuar mbi 1 milion e 600 mijë euro. Rastet tej zgjaten nëpër gjykata, rasteve në veçanti automjeteve, ju bjen vlera e tregut”, ka thënë Selimi.

“Ne do të angazhohemi që të bëjmë një memorandum që gjykatat ta shesin pasurinë e konfiskuar. Unë para dy ditëve e kam vizituar magazinën ku mbahet pasuria e konfiskuar, problemi është te gjykatat. Ne i kemi bë dy gjëra tash rishtazi, kemi kërkuar që arin që e kemi konfiskuar, diku 600 mijë euro ari, atë ari ta çojmë në rezerva shtetërore, që të mbahet në rezerva shtetërore dhe kemi kërkuar nga BE që disa fonde t’i dedikohen agjencisë”, deklaroi ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë Hoti.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK, Shkëmb Manaj e Valdet Hoxha nga LDK, dhe Adnan Rrustemi e Doarsa Kica nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Sundimin e ligjit’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.