Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 Selimi i AAK-së: Verifikimi i policëve duhet të jetë mandator

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që është edhe kandidat për deputet nga kjo parti, Selim Selimi, ka thënë se verifikimi i policëve duhet të bëhet i përhershëm.

Sipas tij, për të ndodhur kjo duhet të jetë një institucion nga i cili bëhen edhe të zbatohen.

“Ne e kemi paraparë sepse e kemi përfunduar tashmë raportin për modalitetet e vetingut, duhet të bëhet një veting i cili është i përhershëm edhe është i qëndrueshëm për shkak që, në situatën e tashme, e kemi departamentin në AKI që bën verifikimin, varet nga kërkuesi i verifikimit, që është keq. Verifikimi duhet të jetë mandator, nëse një institucion e bën verifikimin edhe ai verifikim del negativ, është i detyruar që do ta largoj personin nga ajo pozitë”, ka thënë Selimi në DebatPernime.

“Për ne është e rëndësishme që një mekanizëm e merrë verifikimin e detyrueshëm edhe e bën verifikimin e përhershëm”, ka vlerësuar ish-ministri i AAK-së në qeverinë Hoti.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK, Shkëmb Manaj e Valdet Hoxha nga LDK, dhe Adnan Rrustemi e Doarsa Kica nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Sundimin e ligjit’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.