Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Selimi i AAK-së: Do të bëhet testimi për përdorim të drogave në Polici, AKI e Ushtri

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Selimi, i cili është edhe ministër në detyrë i Drejtësisë, ka thënë se testimet për përdorim të drogave do të ndodhin nëse në qeverisje vjen partia e Ramush Haradinajt.

Ai, në Debat Pernime, tha se testimi për përdorim të drogave duhet të rregullohet që të jetë i përhershëm, ndërsa ka premtuar se për policët, pjesëtarët e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe ushtrave të FSK-së, do të bëhet kohë pas kohe.

“Është e rëndësishme që të bëhen në pranime të personave të sigurisë testet e drogës. Ekzistojnë mënyra të rregullimit të brendshëm të këtyre institucioneve që të bëhet testi i përhershme i cili bëhet në periudha të caktuara kohore, me elementin e befasisë. Policia duhet ta rregulloj këtë, AKI-ja gjithashtu”, ka thënë Selimi në Debat Pernime.

“Sigurisht që po, pra testimi për drogë duhet të shtrihet në të gjitha institucionet e sigurisë, duke përfshirë, policinë, AKI-në e ushtrinë që të bëhet i kohë pas kohëshëm me elementin e befasisë”, deklaroi kandidati për deputet nga AAK.