Selimi: Duke e dëgjuar Baton Haxhiun i kuptojmë qëllimet e Hashim Thaçit

Duke e dëgjuar Baton Haxhiun e kuptojmë më mirë se çka në të vërtetë do presidenti Hashim Thaçi.

Kështu ka deklaruar në një prononcim për KALLXO.com deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

“Që ta kuptojmë se cili është qëllimi i Thaçit e Vuçiqit në planet e tyre, mjafton ta dëgjojmë më pak vëmendje Batonin kur flet gjëra “ekskluzive””, ka thënë Rexhep Selimi lidhur me deklaratat e Baton Haxhiut të dhëna në T7.

Baton Haxhiu duke folur për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ka thënë se një marrëveshje e tillë do të duhej t’i ketë 3 elemente: 1. Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, 2. Amnistia në të dy vendet, pasi që pas 20 vjetësh s’ka çka dënohen njerëzit, dhe 3. Definimi i veriut, çka duam me veriun.

Lidhur me këto propozime të Haxhiut ka pasur reagime të shumta nga njerëz që kanë vuajtur dhe e kanë pësuar nga krimet e Serbisë.

Sipas Rexhep Selimit, kjo deklaratë e Baton Haxhiut është e njëjtë me atë kur, sipas tij, e hodhi në opinion projektin e shkëmbimit të territoreve.

Sipas tij, Baton Haxhiu edhe atëherë edhe tash po i shpjegon qëllimet e Thaçit.

“Prandaj këtu ekziston një e vërtetë që Thaçi do ta amnistonte Serbinë për të gjitha krimet kundër shqiptarëve nëse ai do të ishte i amnistuar nga Gjykata Speciale që e ka themeluar vetë”, tha Rexhep Selimi për KALLXO.com.

Ndaj deklaratave të Baton Haxhiut ka reaguar edhe e mbijetuara e masakrës së Podujevës dhe deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosje, Saranda Bogujevci  dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.

Po ashtu, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!