Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Selim Selimi thotë se do ta ndryshojnë Ligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës

Ministri i Drejtësisë Selimi Selimi ka thënë se për ta përmirësuar Këshillin Prokurorial të Kosovës kanë futur në agjendën legjislative ndryshimin e këtij Ligji.

“Me inicimin e këtij ndryshimi do të hapet mundësia që t’i marrim të gjitha idetë prej hisedarëve se si ta përmirësojmë Këshillin Prokurorial edhe vlerësimin e performancës në këtë rast”, tha Selimi në intervistën për KALLXO.com.

Selimi tha se do të vazhdojnë të bëjnë prova politike derisa ta kenë një politikë e cila i eviton problemet që po paraqiten në raporte ndërkombëtare.

“Duhet ta formojmë grupin punues pastaj ta bëjmë përzgjedhjen e anëtarëve të KPK-së për shkak se zgjedhja e anëtareve mund të jetë potencialisht kundër meritokracisë”, tha ai.

 

Selimi tha se secili prokuror i cili nuk ka treguar sukses, nuk iu ka konfirmuar aktakuza të cilën e ka ngritur për çështje të korrupsionit do të shkojë në proces disiplinor.

“Secili prokuror që i dështon aktakuza e korrupsionit do të shkoj në vlerësim të perfomancës” tha Selimi.

Sipas tij, problemin duhet ta identifikojmë dhe se mënyra e përmisimit të neneve do të bëhet duke marrë parasysh se kush hynë në Këshill Prokurorial, sa është mandati i tyre, pjesa e rizgjedhjes janë të gjitha të rëndësishme që më i ikë ushtrimit të ndikimit.

Ambasada Amerikane në Kosovë para një muaji është tërhequr nga monitorimi në zgjedhjet e anëtarëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe kryeprokurorët.

Tërheqja nga monitorimi siç thotë ambasada është bërë për shkak se këto procese janë “prishur rrënjësisht”.

Sipas Ambasadës  këtyre proceseve u ka humbur transparenca ndërsa kanë përmendur edhe zgjedhjen e prokurorëve në bazë të përkatësisë politike.

“Atyre u mungon transparenca dhe i nënshtrohen konflikteve të interesit. Meqenëse përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet keq si miratim i këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike ose lidhjeve”, ishte thënë në njoftimin e Ambasadës.