Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Selim Selimi: Çdo zyrtarë publik që ka aktakuzë për korrupsion, do të suspendohet

Ish-ministri i Drejtësisë nga AAK, Selim Selimi, ka thënë se tashmë, me punën e tij si ministër në qeverinë Hoti, janë bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që, çdo zyrtar publik, i cili akuzohet për korrupsion, do të suspendohet.

Ai, përballë partive LDK e LVV, tha se për këtë më nuk ka çfarë të punohet.

“Unë e kam një informatë për LVV-në e LDK-në, nuk kanë nevojë të brengosen sepse Ministria e Drejtësisë tashmë e ka zgjidhë këtë punë, në plotësim ndryshimin e procedurës penale, e kemi futë nenin që çdo zyrtar publik që akuzohet për vepër penale të korrupsionit menjëherë suspendohet, këtë e kemi bërë përtej prozumimit të pafajësisë, sepse ne mendojmë që këta zyrtarë që akuzohen për vepra të korrupsionit mund të ndikojnë në prova e në dëshmitarë edhepse këtë Komisioni i Venedikut të bëjmë me ligj të veçantë”, deklaroi Selimi në Debat Pernime.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK, Shkëmb Manaj e Valdet Hoxha nga LDK, dhe Adnan Rrustemi e Doarsa Kica nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Sundimin e ligjit’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.