Foto: Screenshot, RTK

Selakoviq në OKB: Thaçi e Veseli janë në Hagë për t’u dënuar

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, i ka quajtur “gënjeshtra brutale” deklaratat e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë fjalimit në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

Selakoviq ka folur për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët gjenden në paraburgim në Hagë.

Ai ka thënë se ata janë në Hagë për t’u dënuar, sipas tij, për krimet e tmerrshme që kanë kryer ndaj serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë.

“Kur flisni për krime mos harroni të përmendni para këtij organi të nderuar, ku është ish-presidenti i juaj, Hashim Thaçi, ku është Kadri Veseli, çfarë po bëjnë në paraburgim në Hagë? Nuk po luajnë letra aty. Janë aty për t’u dënuar, për t’u proceduar, e besoj për t’u dënuar për krimet e tmerrshme që kanë kryer ndaj serbëve e joshqiptarëve tjerë në Kosovë”-ka thënë ai.

Po ashtu, Selakoviq ka thënë se është gënjeshtër deklarata e Gërvallës që 90 për qind e targave të veturave serbe janë riregjistruar.

“Gënjeshtër brutale tha se 90 për qind e targave të veturave serbe janë riregjistruar. Janë më shumë se 9 mijë vetura në veri të Kosovës dhe vetëm dy prej tyre kanë ndërruar targat. A është 90 për qind kjo? Është shembulli më i mirë i gënjeshtrës brutale” – tha Selakoviq.