Sekuestrohet përkohësisht BMW-ja e gjelbër, arrestohet shoferi i saj, kishte 225 gjoba

Policia ka arrestuar shoferin e një veture BMW ngjyrë të gjelbër, i cili ka bërë bujë në rrjetet sociale për shkak të zhurmës që shkaktonte në qytet me muzikën me zë shumë të lartë, por edhe me vozitje të rrezikshme.

Forcat e rendit sot e kanë sekuestruar përkohësisht veturën ndërsa shoferi është arrestuar dhe dërguar në mbajtje nën dyshimin e kryerjes së veprës penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ngasësi i BMW-së, R.H., 34-vjeçar, pas verifikimit në të dhënat e Policisë ka rezultuar se i figurojnë 225 gjoba.

Arsyeja që solli deri tek arrestimi i të dyshuari është një video-incizim ku shihet se si kjo BMW bën lëvizje të rrezikshme në rrugë dhe rrezikon, sipas Policisë, seriozisht pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Kjo ngjarje, siç thotë Policia ka ndodhur në magjistralen Prishtinë – Podujevë, në kryqëzimin në fshatin Lebanë.