Sekuestrohen veturat luksoze të ish-kryetarit të Shtërpcës - FOTO

Veturat e  ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

KALLXO.com ka siguruar pamje ekskluzive deri sa po sekuestroheshin dy veturat luksoze të Nikoliqit, njëra veturë e tipit Gjip, e tjetra e tipit “BMW”, kjo e fundit me tabela të Serbisë.

Vetura e ish kryetarit të Shtërpcës, FOTO :KALLXO.com

Të njëjtat vetura janë sekuestruar, ndërsa do të jenë pjesë e shkresave të lëndës në procedurën e mëtejme që do të zhvillohet në lidhje me ndërtimet në Brezovicë.

Vetura e dytë e sekuestruar e ish kryetarit të Shtërpcës, FOTO: KALLXO.com

KALLXO.com raportoi se dhjetë persona janë arrestuar në mesin e tyre, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit të kësaj komune, disa zyrtarë, por edhe pronarë të kompanive nën dyshimet për dhënie e marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndërtimet në Brezovicë.

Njëri nga të kërkuarit e Prokurorisë së Ferizajt është edhe një pronar i një kompanie në Komunën e Graçanicës.

KALLXO.com që nga mëngjesi është duke raportuar në lidhje me arrestimet.

Gjatë mëngjesit KALLXO.com publikoi edhe pamje ekskluzive nga aksioni i Njësive Speciale mëngjesin e sotëm në Shtërpcë.

Aksioni i cili po udhëhiqet nga Prokuroria e Ferizajt, ka të bëjë me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.

Ky aksion sipas vet kryeprokurorit të Ferizajt Shukri Jashari, është ndër më të mëdhenjtë në luftën kundër korrupsionit.

Prokuroria ka njoftuar se të arrestuarit po dyshohen se kanë kryer veprën penale marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti e keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aksioni i prokurorisë për ndërtimet në Brezovicë, arrestohet ish kryetari i Shtërpcës