Sekuestrohen rreth 80 mijë franga zvicerane nga policia në Shqipëri

Policia e Kukësit dhe ajo Kufitare në Morinë kanë sekuestruar rreth 80 mijë franga zvicerane nga dy persona.

Me anë të një njoftimi, Policia e Shtetit ka thënë se 35 vjeçari B. F. Banues në Kavajë dhe 27 vjeçarja banuese në Ndroq të Tiranës janë arrestuar në flagrancë.

Policia e Shtetit po dyshon se të arrestuesit tentuat të bënin transfere të paligjshme të parave.

Dy vepra penale ngarkohen ndaj dy të dyshuarve, ajo për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale si dhe mosdeklarim në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim e koordinim të veprimeve me shërbimet e DVP Kukës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në sajë të forcimit të kontrolleve, kanë evidentuar dhe goditur një rast të transfertës së parave në mënyrë të paligjshme jashtë vendit. Pas analizës së riskut, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë, mjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin B. F”, thuhet në njoftim të Policisë së Shtetit.

Policia tha se paratë janë sekuestruar.

“Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën në çantën personale të shtetases R. B., pasagjere, 77160 franga zvicerane të padeklaruara nga ana e e tyre, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve B. F., 35 vjeç, banues në Kavajë dhe R. B., 27 vjeçe, banuese në Ndroq, Tiranë”, thuhet tutje në njoftim.

Policia ka njoftuar se materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme