Sekuestrohen rreth 500 kg duhan në Viti, dyshohet se u kontrabandua nga Maqedonia e Veriut
25.4.2023 - 18:23
Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 500 kilogramë duhan që dyshohet të jetë kontrabanduar.
Sipas njoftimit, kjo sasi është gjetur pas një operacioni kontrolli në një shtëpi dhe objektet e saj në fshatin Lubishtë, komuna e Vitisë.
“Janë gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e duhanit të përpunuar dhe të pa përpunuar (në fletë) rreth 500 kg, ambalazhe për paketimin e duhanit, një peshore dhe një grirëse e duhanit” – thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar se mallrat dyshohet se janë kontrabanduar rrugëve ilegale nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Me urdhër të prokurorit malli i dorëzohet Doganës për procedura të mëtejme, thuhet tutje në njoftim.