Librat shkollorë, Foto: MINT/Facebook
Sekuestrohen rreth 3000 libra shkollorë në Kosovë
Janë sekuestruar rreth 3000 libra arsimore-shkencore dhe profesionale në disa qytete të Kosovës, më 04.09.2024.
Kështu ka njoftuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Sekuestrimi i librave shkollorë ka ndodhur pas bashkëveprimit ndërinstitucional të Task-Forcës Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit me Zyrën për të Drejtat e Autorit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe të Policisë së Kosovës – Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Të gjitha këto institucione kanë bërë kontrollimin e subjekteve të cilat merren me prodhimin, shitjen dhe shpërndarjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit.
“Procesi kontrollues dhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për të Drejtat e Autorit nga ana e Task-Forcës, respektivisht Inspektoratit të Tregut në mbështetje të Policisë së Kosovës është zhvilluar në disa qytete të Kosovës dhe është bërë sekuestrimi i materialit pirat. Zhvillimi i këtyre veprimeve kundër piraterisë në vend ka sjellë si rezultat sekuestrimin e rreth 3000 librave arsimore-shkencore dhe profesionale” – thuhet në njoftimin e MINT, më 04.09.2024.
Si rrjedhojë, MINT ka njoftuar se ndaj bizneseve tek të cilat është gjetur materiali pirat, pa leje dhe pa marrëveshje me mbajtësit e të drejtave, institucionet e zbatimit të ligjit do të ndërmarrin masa ndëshkuese konform legjislacionit në fuqi.
MINT ka publikuar edhe disa fotografi të librave shkollorë në njoftimin e tyre dhe kanë bërë të ditur se do të ndërmarrin aksione të vazhdueshme në treg për këtë çështje.
“Task-Forca kundër piraterisë dhe falsifikimit, njofton mbajtësit e të drejtave dhe subjektet të cilat bëjnë prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit, se është në veprim dhe do të ndërmerr aksione të vazhdueshme në treg, duke instaluar sistemin e mbrojtjes së krijimtarisë intelektuale dhe luftën kundër piraterisë si një mision të përditshëm të institucioneve shtetërore” – njofton MINT.
Si përfundim, Task-Forca kundër piraterisë kërkon nga të gjithë personat të cilët pretendojnë se të drejtat e tyre janë duke u shkelur të drejtohen në organet kompetente, Inspektoratin e Tregut dhe Policinë e Kosovës.
Në anë tjetër, më 02.09.2024 ka filluar viti i ri shkollor 2024/2025, vit i dytë me radhë që Ministria e Arsimit aplikon metodën e subvencionimit të blerjes së librave përmes prindërve për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë.
Prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit ka vendosur t’i subvencionojë me 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, njësojë si vitin e kaluar.
Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria e Arsimit ka vendosur t’i subvencionojë edhe prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, me nga 110 euro.
Aplikimi i prindërve të nxënësve të klasave 1 – 9 për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore në platformën e-Kosova ka filluar nga data 14.08.2024 dhe po vazhdon.
Më 31.08.2024, ministrja Nagavci njoftoi se 203 mijë e 407 prindër apo kujdestarë ligjorë kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve apo materialeve shkollore për vitin e ri shkollor.
Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.