
Foto: VOA
Sekuestrohen një vilë dhe rreth 900 mijë euro lidhur me rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj
Ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më 10.02.2025 nga SPAK është caktuar masa e sigurimit personal – arrest në burg, ndërsa, një urdhër arresti në shtëpi është lëshuar dhe për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
SPAK ka thënë se në të paktën 10 raste krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Kjo ka çuar në caktimin e masave të sigurimit pasuror, duke përfshirë sekuestrimin e një vile dhe disa llogarive bankare në emër të kompanive të Ajola Xoxës, që përmbajnë më shumë se 869,000 euro.
Përveç tyre, pesë persona të tjerë dyshohen nga SPAK për korrupsion aktiv dhe janë lënë nën masën e detyrimit për t’u paraqitur në organet e drejtësisë.
“Këta shtetas, dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj. Në lidhje me këto pasuri, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur me vendimin nr. 84 Akti datë 10.02.2025, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, në lidhje me pasurinë e paluajtshme”- thuhet në njoftim.
Sipas SPAK, fondet publike që janë shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, kanë kaluar te bashkëshortja e Veliajt dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe shoqërive të kontrolluara nga ajo.
Po kështu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare të ndodhura në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, në emër të shtetasës A. X. dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën totale prej 869,149.78 Euro.
Nga ana tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja A. X., e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 dollarë amerikanë dhe 665,000 lekë.
Tutje thuhet se SPAK ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj., në masën 86,721,175 lekë.
Sipas njoftimit, këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është marrë nga zyra e tij dhe është dërguar në stacionin e Policisë së kryeqytetit të hënën më 10.02.2025.