Zyrtarë të Policisë në një aksion - Foto: Policia e Shtetit (foto arkiv)

Sekuestrohen fara kanabisi dhe lëndë narkotike Cannabis Sativa nga Policia e Shtetit

Policia e Shtetit ka njoftuar se specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Fier, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune hetimore dymujore, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë arrestuar një person të dyshuar.

Sipas njoftimit, i dyshuari E. D., 36 vjeçar, është arrestuar pasi që gjatë kontrollit të policisë në lokalin e tij në lagjen “29 Nëntori”, në Fier, të cilin e kishte përshtatur si ambient për përdorimin e lëndëve narkotike.

Sipas policisë, i dyshuari është kapur në flagrancës me 1 kilogram e 140 gram fara kanabisi të cilat do ti shiste ,me qëllim kultivimin e tyre si dhe 650 gram lëndë narkotike cannabis sativa e bërë gati për tu ndarë në doza të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan edhe 1 mijë e 400 qese farmaceutike që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe një automjet.

Policia e Shtetit ka njoftuar se materialet procedurale për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.