Sekuestrohen dy pallate e një hotel në vlerë të 2 milion eurove në Shqipëri

Policia e Shtetit po vazhdon që të zbatoj operacionin për sekuestrimin e pasurisë së fituar nga veprimtaria kriminale.

Kësaj radhe sipas njoftimit të Policisë së shtetit janë sekuestruar, pasuri në vlerë të 2 milion eurove siç ka thënë policia, pasuri kjo e përfituar nga trafikimi me drogë dhe shfrytëzimi i prostitucionit.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për gjurminin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfitura nga veprimtaria mkriminale, referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2017 materialet në ngarkim të shtetasit P. T., për veprën penale “Pastrimi i produketeve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit, pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel që kap çmimin e 2 milion eurove në Durrës.

“Në vijim të veprimeve, pas hetimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në DVP Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro të pasurive”, të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”. Pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel në lagjen Nr. 13 Durrës”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se materialet e policisë i janë dërguar prokurorisë për të vazhduar procedurat e mëtutjeshme.