Sekuestrohen armë e pajisje të tjera në zonën e Banjskës

Përgjatë rrugëve përmes të cilave dyshohet se grupi terrorist u arratis për të dalë në Serbi pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, Policia ka arritur të gjejë materiale e pajisje të tjera.

Pajisje të ndryshme, duke përfshirë edhe armatim, janë gjetur e sekuestruar në ditët e fundit vazhdimisht nga Policia e Kosovës.

Të njëjtit po vazhdojnë që të bëjnë kontrolle në zonën e Banjskës.

Njësitë e ndryshme të Policisë janë në vendin e ngjarjes ku ndodhën zhvillimet dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit.

KALLXO.com mëson se edhe gjatë ditës së sotme u gjetën pajisje që i përkisnin grupit terrorist.

Këto mjete e pajisje janë gjetur në rrugët përmes të cilave u arratis grupi.

Sot janë bërë një javë që në vazhdimësi ka zhvillime në lidhje me situatën e krijuar në veri të vendit më konkretisht në Zveçan, aty ku më 24 shtator 2023 ndodhi një sulm terrorist me ç’rast një zyrtar policor u vra e një tjetër u plagos e një tjetër u lëndua.

Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com raportoi për arrestimin e një serbi në Jarinjë nën dyshimet për armëmbajtje dhe përdorim të armës pa leje, por që ende nuk është konfirmuar nëse personi në fjalë lidhet me ngjarjet që ndodhën më 24 shtator.

Referuar zhvillimeve të 24 shtatorit, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, do të mbajnë një konferencë e cila do të fillojë nga ora 15:00.

Në përgjigje të tensioneve të fundit në veri të Kosovës, NATO ka vendosur të rrisë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.

Përballë tensioneve të fundit në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, NATO para pak ditësh mori vendim të rritë praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për RTV Dukagjinin nga NATO kanë bërë të ditur se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka autorizuar forca shtesë nga Mbretëria e Bashkuara, kështu duke rritur praninë e KFOR-it.