Konferenca e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat | Foto: KALLXO.com

Sektori privat vendos javën e ardhshme nëse do të protesojnë

Vendimin se a do të protestojnë apo jo, Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat që kishte planifikuar ta merrte sot, do ta marrë javën tjetër.

Kështu kanë bërë të ditur kryetarët e shoqatave të sektorit privat sot në një konferencë për media.

“Ne edhe një javë po i japim mundësi, po i japim afat Qeverisë së Kosovës që kërkesën tonë ta shqyrtojë mirë, të reflektojë mirë. Po i shterim të gjitha mundësitë” – tha kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi.

Këtë vendim ai e arsyetoi duke thënë se janë çështjet politike janë në rend të parë.

Ai tha se mbi 80% të shoqatave janë pro protestës, por e kanë parë të arsyeshme që të protestojnë kur të gjithë janë gati.

Kjo sindikatë një muaj më parë kishte paralajmëruar edhe grevë.

Kërkesa vazhdueshme e tyre është që qeveria ta heqë kushtëzimin për subvencionim të 50% të rritjes së pagës, pjesë e pakos së fundit mbështetëse.

Ata kërkojnë që pavarësisht se a i rrisin pagat punëdhënësit, qeveria të subvencionojë pagat e sektorit privat për 50 euro.

Azemi sot përsëriti që mendon se u është bërë e padrejtë ndaj tyre.