Ilustrim - Ndotja e ajrit në Prishtinë. Foto: Urim Krasniqi

Sektori i banimit, burimi më i madh i ndotjes së ajrit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka cilësuar sektorin e banimit si burimin më të madh të ndotjes së ajrit dhe eskpozimit ndaj grimcave të dëmshme atmosferike (PM2.5).

Sipas Institutit, rreth 85% e kësaj ndotjeje lidhet me djegien e lëndëve të ngurta djegëse në shtëpi individuale.

“Është tejet e rëndësishme që të informohemi rregullisht për cilësinë e ajrit dhe të këshillohemi se si të veprojmë që të zvogëlohet ndikimi i ndotjes në shëndetin tonë” shkruan në IHMK.

Sot, cilësia e ajrit në disa qytetete të Kosovës është shumë e dobët duke përfshirë këtu edhe Prishtinën.

Sipas matësve të ajrit, ajër me cilësi të dobët ka në qytetet Pejë, Gjilan, Prishtinë dhe në Mitrovicë.

Ndotje shumë të madhe ka shfaqur matësi mobil, i cili është i vendosur në dalje të kryeqytetit, në afërsi të zonës industriale.

Sipas një hulumtimi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) , rreziqet e ndotjes së ajrit për shëndetin janë kryesisht të lidhura me përqendrimet e PM, veçanërisht PM2.5, që është klasifikuar si kancerogjen nga Agjencia Ndërkombëtare Kërkimore mbi Kancerin
(IARC).

PM2.5 depërtojnë thellë në mushkëri dhe dihet që kontribuojnë në sëmundjet e frymëmarrjes, sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin e mushkërive. Në sëmundjet e mushkërive kontribuon edhe dioksidi i karbonit, njejtë si edhe ozoni, që ulin funksionimin e mushkërive dhe acarojnë astmën.