"Seksiste dhe e ulët" - AGK dënon gjuhën e Visar Gecit ndaj gazetares Meridiana Statovci

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AKG) e ka dënuar gjuhën që ka përdorur këshilltari i kryetarit të Prishtinës Përparim Rama, Visar Geci ndaj gazetares së KOHA-s, Meridiana Statovci.

Duke e quajtur “gjuhë seksiste”, AGK-ja e ka cilësuar këtë gjuhë të Visar Gecit kundër gazetares Statovci “të papranueshme dhe të ulët”.

“Geci shërben si Këshilltar i kryetarit të Prishtinës Përparim Rama dhe ka sulmuar gazetaren Statovci me gjuhë denigruese, për shkak të raportimeve rreth punimeve në rrugën ‘George W. Bush’ në Kryeqytet.” – shkruan AGK.

AGK-ja ka kërkuar nga kryetari Rama që të distancohet qartë dhe ta dënojë këtë gjuhë, e cila vjen nga një zyrtar me të cilin ai punon. 

“Një sjellje e tillë vështirëson punën e gazetarëve dhe bëhet edhe më e rëndë kur drejtohet ndaj gazetareve gra, në përpjekjen e qartë për të denigruar punën e tyre.” – shkruan në reagim.

Gazetarja Meridiana Statovci, e cila trajton tema nga Kryeqyteti, në mbrëmjen e 12 marsit 2025,  ka postuar në Facebook “sharjen dhe ofendimin” që i është bërë nga profili i Visar Gecit, në një lajm të KOHA-s që ajo e ka shpërndarë në po këtë rrjet social, në lidhje me zhvillimin e djeshëm, ndaljen e punimeve në rrugën “Xhorxh Bush”.

Më 12.03.2025, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, i ka ndërprerë punimet e projektit për ndërtimin e sheshit ”Xhorxh Bush”, nga Komuna e Prishtinës.

Drejtori i Urbanizmit i Komunës së Prishtinës, Arbër Sadiki lidhur me projektin për Sheshin “Xhorxh Bush” tha se “…është në përputhje të plotë me planin urbanistik dhe se nuk cenon asetet e trashëgimisë arkitekturore”.

Punët të cilat ne i kemi të parapara në projektin në fjalë, jo që nuk cenojnë asetet e trashëgimisë arkitekturore, por përkundrazi kontribuojnë që asetet e trashëgimisë arkitekturore të jenë pjesë e pandashme e Kryeqytetit.” – tha ai.

Inspektorati për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar duke thënë se pas takimit dhe informimit të zyrtarëve komunalë janë vendosur shenjat zyrtare për ndalim të punimeve.

Sipas tyre Inspektorati kishte pranuar fillimisht njoftim për punime në këtë zonë dhe ndërhyrje, siç i quajnë ata, të paautorizuara në një zonë ku ka asete të trashëgimisë kulturore në mbrojtje. 

reagim thuhet po ashtu se institucionet përgjegjëse për trashëgimi kulturore kanë konfirmuar se Komuna e Prishtinës apo Drejtoritë përkatëse, si ajo e Urbanizmit, Drejtoria e Planifikimit Strategjik apo Drejtoria për Transformim e Komunës së Prishtinës nuk kanë kërkuar leje për punë, siç e thotë Ligji i Trashëgimisë Kulturore, kur punohet në afërsi të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe zonave të mbrojtura. 

Për këtë projekt, në janar 2025, Komuna nënshkroi Kontratë në vlerë 18.1 milionë euro, me grupin e Operatorëve Ekonomik: Salillari, Gjini Construction SH.P.K,, Hidroterm SH.P.K.

Kohëzgjatja e këtij tenderi është maksimumi 360 ditë – siç përshkruhet në Dosjen e tenderit.