Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë. Foto: Kallxo.com

Sekretarja e shkollës 'Mihal Grameno' në Fushë-Kosovë del pozitiv me COVID-19

Pak ditë pasi që burri i saj kishte rezultuar pozitiv më COVID-19, edhe sekretarja e shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë dje ka rezultuar pozitiv.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Islam Shabani, i cili ka bërë të ditur se ajo ka pasur kontakte me stafin e shkollës.

“Mbrëmë në ora 10:00 e kemi marrë rezultatin, dhe na kanë njoftuar se ka dalë pozitiv edhe menjëherë e kam thirrë drejtorin dhe i kam thënë me i izolu punëtorët që kanë pasur kontakt. Drejtori i ka njoftuar të gjithë punëtorët që kanë pasur kontakt që të izolohen të gjithë në shtëpi. Burri i saj ka qenë para një jave, por mbrëmë ka mbërri rezultati dhe menjëherë i kemi marrë masat e nevojshme për këtë çështje”, tha ai.

Drejtori Shabani për KALLXO.com ka thënë se të gjithë personat që kanë pasur kontakt me sekretaren do të vetizolohen, por që sipas tij nuk ka pasur kontakt i gjithë stafi sepse nuk kanë qenë të gjithë në punë.

“Drejtori e di më mirë se sa do të izolohen, sepse ajo shkollë i ka 107 punëtorë dhe të gjithë nuk kanë dalë në punë sepse nuk i kam lejuar, por me siguri ajo ka pasur një numër të caktuar të njerëzve që ka kontaktuar. Drejtori i ka njoftuar ata që kanë pasur kontakt që të rrinë në shtëpi dhe të mos dalin në vendin e tyre të punës”, tha ai.