Sekretariati i Energjisë kritikon ZRrE-në për moshapjen e tregut të energjisë

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, ka prezantuar “Raportin Implementues 2019 nga Sekretariatit i Komunitetit të Energjisë”, para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Njëri prej problemeve të përmendura në raportin e prezantuar nga Kopac është moshapja e tregut nga ZRrE dhe shtyrja e vazhdueshme e këtij afati.

“Të gjithë konsumatorët me ligj kanë të drejtë ta ndërrojnë furnizuesin por në praktikë kjo nuk ndodh për shkak se ZRrE çdo herë po e shtyn këtë mundësi”, ka thënë Kopac para Komisionit.

Në mars të vitit 2019, anëtarët e bordit të ZRrE-së kanë marrë vendim që të zgjatet edhe për një vit afati i kalimit të konsumatorëve të kyçur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 35 kV.  Ky afat ishte zgjatur deri me 31 mars 2020 për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 35 kV dhe deri me 31 mars 2021 për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 10 kV.

“Duhet të presim që edhe kjo të realizohet por shpresojmë që nuk do të shtyhet përsëri. Sepse kur është miratuar ligji, tregu ka qenë i hapur vetëm formalisht në letër në atë moment dhe ne e kemi ditur që kjo nuk është reale për arsye se nevojitet një periudhë tranzicioni por pastaj kjo periudhë ka filluar të shtyhet për shkak se nuk ka pasur bazë ligjore”, ka potencuar Kopac.

Kopac ka thënë se problemi i dytë për hapjen e tregut është mbrojtja e konsumatorëve të mëdhenj.

“Nuk mundeni të hapni tregun vetëm për shfrytëzuesit shtëpiakë sepse për disa prej tyre do të jetë çmimi i lartë, pra i duhet një program për të gjetur se si duhet mbrojtur ata, përndryshe duhet t’i definoni klientët e mëdhenj e kush jo edhe duhet t’i parashikoni disa fonde se si t’i mbështetni dhe mbroni, e kjo nuk është bërë akoma”, ka shtuar drejtori Kopac.

Bordi i ZRrE-së kishte marrë vendim për hapjen e tregut në janar të vitit 2017.

Më 11 mars të vitit 2019, Oda Ekonomike e Kosovës kishte mbajtur një konferencë lidhur me problemet dhe sfidat e sektorit privat në raport me energjinë elektrike.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi ishte shprehur se nëse deri më 1 prill 2019 nuk liberalizohet tregu i energjisë, shumica e bizneseve do të mbyllen.

Energjia elektrike mbetet ndër barrierat kryesore jo vetëm për koston edhe për furnizimin e rregullt. Në këtë fazë është menduar që do të kemi dy lëvizje që e ndihmojnë prodhuesin mirëpo për shkak të problemeve edhe këto dy alternativa nuk po mundësohen”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, Astrit Panxha, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, shprehu si shqetësim mohimin e të drejtës për vetëkonsum.

KALLXO.com ka transmetuar LIVE prezantimin e raportit nga Kopac para Komisionit për Ekonomi.

LIVE Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE)raporton para Komisionit Parlamentar për Ekonomi…

LIVEPrezantimi i Raportit Implementues 2019 nga Sekretariatit i Komunitetit të Energjisë.

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 3 mars 2020