Sekretariati i Energjisë kërkon kalimin nga tarifat nxitëse në ankande te burimet e ripërtërishme

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, ka prezantuar “Raportin Implementues 2019 nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë”, para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Kopac ka thënë se është një dhembje shumë e madhe për të që Kosova dhe disa vende të tjera subvencionojnë burimet e energjisë së ripërtërishme përmes tarifave nxitëse dhe jo përmes ankandeve siç e mbështet e gjithë Europa.

Drejtori Kopac ka thënë se ankandet janë më të lira dhe më transparente se sa tarifat nxitëse.

“E tërë Europa i mbështet burimet e ripërtërishme për gjenerimin e energjisë përmes ankandeve. Ankandet janë transparente dhe më të lira. Ne i kemi shkruar ministrisë përkatëse dhe ZRrE-së për këtë çështje. Ne kemi sugjeruar që të kalojnë nga tarifat nxitëse te ankandet që janë më të lira”, ka thënë Kopac para Komisionit.

Kopac ka thënë se në vitin 2018 i kanë draftuar edhe amendamentet në gjuhën shqipe për amendamentimin e ligjit përkatës dhe ky ligj kurrë nuk është futur në procedurë.

“Është për të ardhur keq se po humbni mundësi, nuk keni para të mjaftueshme me i financu këto tarifa nxitëse, nuk po i leni të vijnë investitorët e rinj dhe dita-ditës po vareni nga qymyri”, ka potencuar Kopac.

Ai ka përmendur shembullin e Maqedonisë së Veriut, e cila është kthyer nga tarifat nxitëse tek ankandet.

“Para 2 ose 3 muaj Maqedonia i është kthyer ankandeve. Kanë kërku që kush jep më shumë me ndërtu në këto toka të shtetit dhe kanë ardhë në -3 megavat për orë”, shtoi Kopac.

Kopac ka thënë se ky kalim mund të bëhet edhe në Kosovë me qeverinë e re.

“Nëse i shihni tarifat nxitëse që e tejkalon shumë çmimin e tregut dhe nëse shohim Maqedoni, ajo që është bërë atje të bëhet këtu, keni humbur kohë por shpresoj që me qeverinë e ri do të ndryshojë dhe të kaloni nga tarifat nxitëse te ankandet dhe do të lejoni të ketë më shumë investime”, përfundoi Kopac.

Në muajin nëntor të vitit 2019, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse. Tashmë sipas vendimit të ri të Rregullatorit janë caqe prej 20 megavatëve që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me një çmim prej 85.5 euro për megavat.

“Tarifa nxitëse do të vlejë vetëm për aplikuesit të cilët janë të pajisur me vendim mbi Autorizimin Preliminar të lëshuar Rregullatorit të Energjisë Elektrike”, thuhet në vendimin e ZRrE-së.

Deri në këtë vendim, vetëm 10 megavat kanë qenë pjesë e tarifave nxitëse, pra me çmim të garantuar, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë të obliguar t’i nënshtrohen çmimit të tregut.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e kompanive të pajisurura me vendim mbi Autorizimin Preliminar, e që do të përfitojnë nga vendimi i ZRRE-së, janë edhe “Devolli Group”. Kjo kompani është në mesin e aplikantëve që kanë marrë autorizime preliminare dhe që janë në listën e pritjes me kapacitete prej 3 megavatëve.

Në një reagim pas këtij vendimi kompania “Devolli Grup” ka thënë se nuk janë të vetmit ata që po përfitojnë nga ky vendim.

“Me këtë rast, ne duam të potencojmë se ”Devolli Group”, si kompani vendore, hyn më mesin e aplikuesve për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të rrymës me kapacitet të vogël prej 3 MË, kurse ka kompani të huaja të cilat kanë marrë autorizime për kapacitete prej 135MË (mbi 100 herë më të mëdhaja se kapacitetet tona), por për çudi nuk përmenden fare në këta artikuj”, thuhet në reagimin e ‘Devolli Group’, të cilin mund ta lexoni të plotë në këtë LINK.

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parku energjetik i Devollëve është në “Madanaj, ZK Kusar, Komuna e Gjakovës”. Në të njëjtin lokacion autorizim preliminar për ndërtim të parkut për energji solare ka marrë edhe “VITA ENERGY”. Edhe kjo kompani do të përfitojë nga vendimi i ZRRE-së për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit prej 3 megavatëve.

Përfitues tjetër është kompania “VBS” Sh.p.K me 3 megavatë. Edhe kjo kompani e ka të njëjtin lokacion për ndërtimin e parkut solar, pra në Madanaj të Komunës së Gjakovës.

KALLXO.com kishte raportuar që Lëvizja Vetëvendosje kishte ngritur padi në lidhje me vendimin e 27 nëntorit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas LVV-së, vendimi i marrë më 27 nëntor nga Bordi i ZRRE-së, për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkë.

Në muajin janar të këtij viti, Gjykata e Prishtinës e ka pezulluar vendimin e bordit të ZRrE-së për rritjen e sasisë së energjisë solare që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me çmim të paracaktuar prej 85.5 euro. Kërkesën për pezullim të këtij vendimi e kishte bërë Lëvizja Vetëvendosje.

Kundër këtij vendimi kishin dalë edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ambasada gjermane në Kosovë, USAID dhe Zyra e BE-së në Kosovë.