Sekretari i Universitetit dhe inspektori i Arsimit, dëshmojnë në gjykimin ndaj ish rektorit Ramë Vataj

Ka dalë para gjykatës ish rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj. Ai po përballet me aktakuzën e Prokurorisë lidhur me veprën ‘cenimi i të drejtave të punës’.

Vataj, sipas aktakuzës dyshohet se në cilësinë e ish rektorit të Universitetit të Prizrenit, ia ka cenuar të drejtën e punësimit kandidatit Vehbi Miftari.

Në seancën e sotme ndaj ish rektorit Vataj, u deklaruan dëshmitarët Burim Berisha, sekretar i përgjithshëm i Universitetit të Prizrenit dhe Rexhep Jakupi, inspektor i Arsimit.

Përfaqësuesi i Prokurorisë, Shahadin Destani e pyeti dëshmitarin Berisha se a janë të obligueshme vendimet e Inspektoratit të Arsimit për Universitetin.

“Gjatë punës ne pranojnë ankesa, zakonisht vendimet atakohen nëpër gjykata, organe të universitetit, inspektorate dhe në Ministri të Arsimit. Mirëpo, lidhur me rastin konkret, vendimet e inspektoratit na obligojnë që pas vendimit të Senatit dhe pas vendimit të Gjykatës t’i zbatojmë”, deklaroi dëshmitari.

Në shqyrtim u ftua dhe dëshmitari tjetër.

Inspektori i Arsimit Rexhep Jakupi, u pyet nga Prokuroria se për cilat arsye e kishe lëshuar vendimin që të rishqyrtohet konkursi i datës 1 gusht 2016 i cili është edhe objekt i këtij shqyrtimi.

“Arsyeja kryesore është se jam fascinuar – jam mahnitur me punën e kandidatit Vehbi Miftari, si dhe numrin e madh të botimeve të tij. Vehbi Miftari, pra ka pasur disa punime të publikuara, andaj, dhe kjo ka qenë arsyeja e rishqyrtimit të konkursit”, deklaroi inspektori.

Prokurori, e pyet dëshmitarin se vendimet e Inspektoratit a janë të obligueshme të zbatohen nga Universiteti.

“Po, duhet të zbatohen, në të kundërt lënda shkon në Prokurori. Këtë rast, unë vetë si zyrtar i Inspektoratit e kam dërguar në Prokurori”, deklaroi inspektori Rexhep Jakupi.

Seanca e radhës u caktua për datën 7 shtator 2021 me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë.

Aktakuza ndaj ish rektorit Ramë Vataj ishte ngritur me 10 qershor 2020, ku sipas Prokurorisë, Vataj, po akuzohet se nga data 30.09.2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia kishte mohuar apo kufizuar personave të tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Po ashtu sipas Prokurorisë, ish rektori nuk e kishte zbatuar vendimin e Sektorit të Inspekcionit të Arsimit në Prizren të datës 14.09.2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 01.08.2016.

Sipas aktakuzës, Vataj në atë vendim ishte urdhëruar të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë.