Sekretari i shtetit, Pompeo uron kryeministrin Hoti për postin e ri

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, sot ka pranuar një telegram urimi nga sekretari i shtetit, Michael R. Pompeo për zgjedhjen e tij kryeministër.

Pompeo në letrën drejtuar Hotit, është shprehur se Shtete e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë lartë miqësinë me Kosovën, si dhe presin edhe më tutje të forcohet bashkëpunimi ShBA – Kosovë.

“Dëshiroj të uroj Kosovën për procesin paqësor dhe demokratik të formimit të qeverisë. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lart miqësinë me Kosovën, si dhe mirëpresim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit SHBA-Kosovë në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, ka shkruar ai.

Gjithashtu, Sekretari ka thënë se ShBA do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, dhe se njohja  e ndërsjelltë është esenciale për Kosovën.

“Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, që është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë”, ka shkruar tutje Pompeo.

Në këtë letë Sekretari i Shtetit ka shkruar edhe për reciprocitetin ndaj Serbisë, ku thotë se e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë për heqjen e reciprocitetit mbi mallrat serbe, ku sipas tij është një hapë i madh për të vazhduar procesi i dialogut.

E kemi mirëpritur vendimin e qeverisë suaj për heqjen e të gjitha masave të reciprocitetit mbi mallrat serbe, që shënoi një hap vital për rinisjen e procesit të dialogut.

Ky është telegrami – urimi i Sekretarit të Shtetit, për kryeministrin Avdullah Hoti:

I nderuar Kryeministër,

Dëshiroj të uroj Kosovën për procesin paqësor dhe demokratik të formimit të qeverisë. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lart miqësinë me Kosovën, si dhe mirëpresim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit SHBA-Kosovë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Jam i bindur se mund të punojmë së bashku për promovimin e prosperitetit dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, që është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë. E kemi mirëpritur vendimin e qeverisë suaj për heqjen e të gjitha masave të reciprocitetit mbi mallrat serbe, që shënoi një hap vital për rinisjen e procesit të dialogut. Kosova duhet të jetë e gatshme të rifillojë negociatat me Serbinë sa më parë që është e mundshme.

Gjithashtu, e mirëpres zotimin tuaj për të luftuar korrupsionin si prioritet i lartë i qeverisë tuaj. Ne do vazhdojmë mbështetjen tonë për përpjekjet kundër korrupsionit, si dhe për iniciativat e tjera që synojnë të rrisin sundimin e ligjit dhe të forcojnë institucionet demokratike që mund të sigurojnë trajtim dhe drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Së bashku do të tejkalojmë pandeminë COVID-19 dhe do të ndërtojmë një shteg për realizim të potencialit ekonomik të Kosovës.

Mbetem i përkushtuar për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve tona.

Sinqerisht,

Michael R. Pompeo