Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sekretari i ri i Ministrisë së Infrastrukturës mungoi 121 ditë në punë pa vendim për pushim

Sekretari i ri i Ministrisë së Infrastrukturës, Zymer Avdullahu, vitin e kaluar ka munguar 121 ditë në punë pa e hapur apo mbyllur pushimin.

Kështu thuhet në një dokument të zyrës së Personelit të Ministrisë së Infrastrukturës që është dërguar më 18 janar 2021 tek ish- Sekretarit të MI-së, Izedin Bytyçi.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se Zymer Avdullahu në një përgjigje që i kishte dërguar Divizionin së Personelit të MI-s më 14 janar të këtij viti e kishte arsyetuar mungesën në punë “me leje të sekretarit për shkaqe shëndetësore”.

Por, udhëheqësja e Divizionit të Personelit në MI në shkresë thotë se Avdullahu nuk kishte paraqitur asnjë rekomandim nga ana e mjekut për pushim mjekësor. Në këtë shkresë thuhet se Avdullahu nuk ka qenë në punë edhe pse nuk ka pasur pushim mjekësorë me apo pa-pagesë.

“Gjithashtu nga i gjithë ky material nuk ka asnjë dëshmi që i  njëjti ka hapur apo mbyllur pushim mjekësor, as me pagesë por as edhe pa pagesë, sipas legjislacionit në fuqi si dhe i njëjti gjatë kësaj kohe asnjëherë nuk e ka njoftuar personelin për mungesë në punë, ku i njëjti ka munguar në punë për 116 ditë pune”, thuhet në dokumentin që i kishte dërguar Udhëheqësja e Divizionit të MI-së, ish- Sekretarit Izedin Bytyçi.

Tutje në dokument thuhet se nga data 11 dhjetor të vitit të kaluar, Avdullahu ishte transferuar në Departamentin Ligjor në Ministri të Infrastrukturës dhe prapë nuk ishte paraqitur në punë.

“Nuk ka njoftuar për mungesë në punë deri më 21.12.2020. Pra kemi edhe pesë ditë mungesë në punë pa arsye”, vazhdon letra që i kishte dërguar Udhëheqësja e Divizionit të MI-së, ish- Sekretarit Izedin Bytyçi.

Udhëheqësja e Divizionit të Personelit në MI kishte dërguar informacionet te Bytyçi për shkak se i njëjti nuk kishte arsyetuar asnjë mungesë për të cilat kishte thënë se i ka me leje të sekretarit për shkaqe shëndetësore.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me sekretarin e MI-së Zymer Avdullahu, i cili ka thënë dokumentacionin e ka dorëzuar tek personeli.

“Ato janë aprovuar prej sekretarit, i kam dorëzuar të gjitha shkresat në personel. Janë të gjitha dokumentet mund të kërkoni qasje në dokumente dhe mund t’i posedoni ato. Për të gjitha drejtohuni në Drejtorinë e Personelit i keni aty. Të gjitha dokumentacionet janë në përgjigje”, tha shkurt ai ndërsa nuk pranoi të flas saktësisht në lidhje me mungesën në punë duke vazhduar që të na drejtoj për në Departamentin e Personelit për të kërkuar qasje në dokumente zyrtare.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë nga Avdullahu nëse i njëjti ka pasur një vendim për pushim mjekësor madje edhe nëse është paguar apo jo për ato ditë pushimi, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Izedin Bytyqi, por ai nuk është përgjigjur në telefonata.

Gjithashtu KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës për këtë çështje por të njëjtit deri në publikim të këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Zymer Avdullahu është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës.

Nga kjo pozitë u lirua Izedin Bytyqi përmes një vendimi të ministrit në detyrë të MI-së, Arban Abrashi.