Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg - Foto: Rtv21

Sekretari i NATO-s: Marrëveshja e vitit 2013 që FSK të mos hyjë në veri është valide

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-se Kosovë, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media foli për aktivitetet e tij gjatë vizitës ne vend.

Ai tha se ka vizituar memorialin e djalit të Joe Biden dhe është takuar me lidershipin kosovar.

“Kjo ka qenë një vizitë shumë e mirë, arrita këtë mëngjes dhe shkova në kampin Bondsteel ku bëra homazhe te memoriali i djalit të Joe Biden, Boe Biden, që ishte një moment prekës pasi edhe i premtova presidentit Biden që do e bëja kur u takova me të Bruksel pak javë më parë”, tha ai.

“Pastaj shkova në zyrat qendrore të KFOR-it me gjeneralin e këtyre forcave dhe më lanë shumë përshtypje trupat që takova atje. Siç e dini atje janë 27 kombe që kontribuojnë aty. Më pas kam pasur takime me lidershipin politik, me z. Kurti, zonjën Osmani dhe z. Rakiq”, shtoi tutje ai.

Në pyetjen lidhur me marrëveshjen e vitit 2013 mes autoriteteve të Kosovës dhe NATO-s që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos hyjnë në veri pa informim të KFOR-it, ai tha se mirëpret respektimin e kësaj marrëveshjeje, pasi kështu do veprojë NATO nga ana e saj.

“Kjo është diskutuar dhe unë e mirëpres që autoritetet kosovare t’i përmbahen marrëveshjes së vitit 2013, që Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk duhet të kalojnë në veri pa koordinim me KFOR-in. Kjo është mënyra për të gjetur balancin dhe të shmangim ndonjë situatë që minon zgjidhjen politike. Kur nënshkruan marrëveshje ajo zgjat dhe më vjen mirë që kjo marrëveshje është ende valide dhe nga ana jonë ne do i përmbahemi asaj”, shtoi tutje ai.

Stoltenberg tha se  NATO është këtu për të qëndruar dhe KFOR është në Kosovë të ndihmojë për një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet.